Xabi Alonso (i lindur në Tolosa, 25 Nëntorin e vitit 1981) është traineri i ri i Realit të Madridit. 43 vjeçari spanjoll kthehet në klubin ku fitoi 6 tituj si lojtar duke u shndërruar në një Legjendë të Real Madrid. Ai vjen nga Bayer Leverkusen ku bëri historinë duke fituar Kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë. Ai u bashkua me klubin gjerman në Tetorin e vitit 2022 dhe në sezonin e parë arriti deri në ½ finalet e Europa League. Në sezonin e 2023/24 ai i dha Bayer Leverkusen të parin titull në Bundesliga duke ndërprerë 11 kampionatet rradhazi për Bayern Munich.

Fitoi edhe Kupën e Gjermanisë dhe ishte pranë “Treble” por Atalanta fitoi Finalen e Europa League. Nën drejtimin e Xabi Alonso-s, Bayer luajti 51 ndeshje pa humbje rradhazi. Një paraqitje e tillë vazhdoi edhe sezonin e dytë duke fituar Superkupën në Gushtin e kaluar2024. Përpara transferimit te Bayer Leverkusen, Xabi Alonso filloi të punonte në sistemin e të rinjve te Real Madrid dhe në drejtimin e skuadrës U14 ai fitoi La Liga-n dhe “Tournament of Champions” në sezonin 2018/19. Në vazhdim drejtoi Real Sociedad B mes viteve 2019 dhe 2022 me të cilin mbërriti deri në Kategorinë e dytë në Spanjë në vitin 2021.

Si lojtar ai veshi bluzën e Real Madrid nga 2009 deri në 2014 duke luajtur 236 ndeshje, fituar Champions League, Superkupën e Evropës, La Liga-n, dy herë Copa del Rey dhe një Superkupë në Spanjë. Suksese që u shoqëruan me ato në përfaqësuesen e Spanjës (Kupën e Botës dhe dy herë Kampionatin Evropian). Te Liverpool fitoi Champions League, Superkupën e Evropës, FA Cup dhe FA Super Cup. Te Bayern Munich fitoi 3 herë Bundesliga-n, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën. Ai nuk e ka fshehu asnjëherë dëshirën për të drejtuar 3 klubet e mëdha ku luajti. Dhe te Real në Madrid, rruga ka nisur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.