Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama i quan zhgënjyese deklaratat e laburistes Shabana Mahmood, lidhur me dëbimin nga Britania e Madhe të 700 familjeve shqiptare, të cilët pas refuzimit të azilit, po vijojnë të jetojnë në Britani nga financimi i taksapaguesëve vendas.
“Mjaft zhgënjyese të dëgjosh Sekretarin e Brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar të citojë “rreth 700 familje shqiptare” që jetojnë në strehim të financuar nga taksapaguesit pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rifillimin e kthimit të familjeve”, shkruan Rama, duke shtuar se si mundet një Sekretare e Brendshme e Partisë Laburiste t’i bëjë jehonë kaq dobët retorikës së të djathtës ekstreme populiste dhe të veçojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë pas Brexit.
Rama thotë se kjo vjen pikërisht në një moment kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme të Evropës për migracionin e paligjshëm.
“Më lejoni t’i kujtoj Sekretarit të Brendshëm se, falë punës intensive të përbashkët që nga fundi i vitit 2022, mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar janë pothuajse të zhdukura. Kontrolli i migracionit ka funksionuar.
Rama thotë se kufizimet e lëvizshmërisë dhe vizave nga ana e Mbretërisë së Bashkuar mbeten një relike dështimi e epokës Braverman, duke dëmtuar si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve ashtu edhe vetë ekonominë britanike.
Le të jemi gjithashtu të qartë, shton Rama, Shqiptarët janë kontribues neto në ekonominë britanike, dhe numri i shqiptarëve që marrin përfitime nga Mbretëria e Bashkuar është shumë i ulët në krahasim me komunitetet e tjera.
“T’i veçosh ata vazhdimisht nuk është politikë, është një ushtrim shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie”.
Sipas Ramës, Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë në vend që t’i fajësojë vazhdimisht shqiptarët dhe kështu t’i ekspozojë qytetarët ndaj rreziqeve në rritje, përfshirë ato nga grupet ekstremiste që lulëzojnë mbi narrativa të tilla.
“Politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipet etnike. Kjo është më e pakta që njerëzimi pret nga Britania e Madhe e Madhe”, përfundon Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



