Keshilla

70 prindër të fëmijëve të suksesshëm tregojnë 4 fraza që nuk i përdorën kurrë me ta kur ishin të vegjël

Nga Margot Machol Bisnow- A nuk do të ishte mirë nëse fëmija juaj do të rritej për t’u bërë një sipërmarrës?

Sipërmarrësit, për mendimin tim, nuk janë vetëm themelues të bizneseve fitimprurëse. Ata janë njerëz elastikë, punëtorë, që fillojnë diçka, që dalin me ide dhe i sjellin ato në jetë dhe që pasionin e kthejnë në projekte.

Si hulumtim për librin tim, “Rritja e një sipërmarrësi”, intervistova 70 prindër që rritën fëmijë shumë të suksesshëm dhe i pyeta se si i ndihmuan fëmijët e tyre të arrinin ëndrrat.

Ajo që zbulova është se komunikimi luan një rol të madh në atë shkëndijën e parë me suksesin si sipërmarrës.

Këtu janë katër fraza që këta prindër nuk i kanë përdorur kurrë kur fëmijët e tyre ishin të vegjël:

1. “Unë nuk të besoj, kështu që unë rishikova detyrat tua të shtëpisë dhe rregullova gabimet për ty”

Të gjithë prindërit theksuan rëndësinë e përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Ata donin që fëmijët e tyre të merrnin përsipër punën, të rregullonin problemet, të mësonin nga gabimet dhe të ishin më të sigurt ndërsa rriteshin.

Por nuk ka të bëjë vetëm me detyrat e shtëpisë. John Arrow u largua nga kolegji pak para se të diplomohej për të filluar Mutual Mobile, një kompani teknologjike që ka gjeneruar më shumë se 200 milionë dollarë të ardhura.

Kur ishte në klasën e pestë, ai dhe miqtë e tij shkruan një gazetë shkollore, e cila u shit menjëherë. Por ata nuk arritën të bënin verifikimin e fakteve. Drejtori u tërbua dhe miqtë e tij u futën në telashe me prindërit e tyre. Por prindërit e John qeshën dhe i thanë që të rregullonte gabimet e tij.

“Duke ditur se prindërit e mi do të më mbështesnin, edhe kur të tjerë ishin kundër meje, më bëri të punoja më shumë për t’u treguar atyre se kishin të drejtë të besonin në mua”, tha John.

2. “Ne do të të japim më shumë para që të blesh çfarë të duash”

“Asnjëherë mos shpërndani para falas”, më tha një baba.

Prindërit me të cilët fola të gjithë vinin nga një gamë e gjerë prejardhjesh socio-ekonomike dhe u mësuan fëmijëve të tyre vlerën e parave. Edhe fëmijët më të pasur duhej të punonin për të shpenzuar para.

Nyla Rodgers është themeluesja e Mama Hope, një organizatë jofitimprurëse që financon dhe mbron organizatat e komunitetit. Kur Nyla ishte në shkollë të mesme, ajo donte të shkonte jashtë shtetit me klasën e saj të frëngjishtes.

Por në vend që të paguante shumën e plotë, nëna e saj tha se duhej të fitonte gjysmën e kostos së udhëtimit. Pa pasur zgjidhje tjetër, Nyla mbajti fëmijë, kositi lëndina, shëtiste qentë, u mësoi notin fëmijëve të tjera dhe bëri punë të tjera.

“Kam punuar 15 orë në ditë, shtatë ditë në javë për të mbledhur paratë. Deri në fund të verës, kisha mbledhur mjaftueshëm për të shkuar. Kjo është ajo që filloi rrugëtimin tim si sipërmarrëse”, tha ajo.

3. “Nuk do bësh asnjë aktivitet pas shkollës derisa të përmirësosh notat”

Shumë nga prindërit me të cilët fola nuk i kuptonin pasionet e fëmijëve të tyre, por të gjithë u dhanë atyre shumë kohë për t’u marrë me to.

Disa fëmijë ndoqën pasionin e tyre përveçse ishin studentë të shkëlqyer. Të tjerët vendosën të gjitha energjitë në pasionin e tyre dhe nuk ishin aq të mirë në shkollë. Prindërit i mbështetën pavarësisht zgjedhjes.

Jon Chu, regjisor filmash të suksesshëm si “Crazy Rich Asian”, kishte një pasion për të bërë filma që nga koha kur ishte në klasën e dytë. Prindërit e tij emigrantë drejtonin një restorant dhe shpresonin se ai do të arrinte ëndrrën amerikane duke punuar shumë, por kurrë nuk u shkonte mendja se mund të ishte në film.

Në shkollën e mesme, nëna e Jon u mërzit një natë kur e gjeti atë duke punuar në një video në vend të detyrave të shtëpisë. Ai filloi të qante duke thënë se “kjo është ajo që unë dua! Unë dua ta bëj gjithë jetën time”.

Kur ajo e mori atë në shkollë të nesërmen, ajo kishte libra filmash që i kishte marrë nga biblioteka.

“Nëse dëshiron ta bësh këtë, studio dhe bëhu më i miri”.

4. “Do të të jap para nëse merr nota të mira”

Duke u rritur, sipërmarrësit e ardhshëm nuk u mësuan kurrë me idenë se qëllimi i jetës ishte të ishin të pasur. Në vend të kësaj, qëllimi ishte për të pasur sukses, për të bërë më të mirën, për tu përmirësuar dhe për të krijuar diçka të madhe.

Prindërit e kuptuan se fëmijët e tyre nuk do të ishin kurrë të lumtur nëse do të largoheshin nga diçka që u pëlqente, dhe se ata kurrë nuk do të shkëlqenin në diçka nëse nuk do të punonin pa pushim në të dhe se kurrë nuk do të punonin pa pushim nëse nuk e donin.

Kështu ata rritën fëmijë që vendosën pasionet në bizneset e tyre dhe bënë produkte dhe shërbime më të mira. Fëmijët besuan se, sipas të gjitha gjasave, paratë do të vinin. Dhe edhe nëse nuk do të ndodhte, do të ishte akoma më mirë sesa të punonin shumë për diçka që ata e urrenin.

Si rezultat, ata u rritën me një ndjenjë qëllimi dhe me dëshirën për të bërë një ndryshim në botë.

*Margot Machol Bisnow është shkrimtare dhe psikologe fëmijësh. Ajo ka punuar 20 vite në qeverinë amerikane si Komisionere e komisionit federal të tregtisë dhe shefe e Stafit të Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit, dhe është autore e “Rritja e një sipërmarrësi: Si t’i ndihmoni fëmijët tuaj të arrijnë ëndrrat e tyre”.

Burimi: cnbc. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë