Futbolli është sporti më popullor në të gjithë botën. Ndiqet dhe luhet nga të gjithë, femra dhe meshkuj të mëdhenj e të vegjël dhe pa dyshim është një nga sportet më të pasur. Të gjithë fëmijët që fillojnë të luajnë futboll ëndërrojnë që një ditë të kapin majat, duke shkëlqyer si Mesi, Ronaldo, Nejmar, Modriç apo Kejn. Sigurisht për të arritur në nivelin e tyre duhet të kesh shumë talent dhe shumë punë. Por ka edhe një mënyrë që mund të bëhesh i famshëm si futbollist, pa luajtur asnjë ditë të vetme si profesionist. Më poshtë janë 7 rastet më të famshme të individëve që edhe pa qenë futbollistë profesionist janë bërë të njohur përmes futbollit. Rastet e tyre janë të ndryshme, nga aktorë filmash, personazhe filmash të animuar apo edhe mashtrues, por bashkohen në një pikë, futbolli i ka bërë të famshëm.
Aleks Hunter
Ai ka luajtur në Championship, Premier League, La Liga dhenë kampionatin amerikan. Ai ka bërë një nga debutimet më spektakolare me Real Madrid që në ndeshjen e tij të parë.
E gjithë kjo është një histori në filmin e animuar të FIFA-s, “The Jurney” që vazhdon prej më shumë se tre vite tashmë. Personazhi i animuar Aleks Hunter është luajtur nga aktori Adetomiwa Edun. Ai këtë sezon në filmin e animuar ka ndryshuar pozicion në fushë, duke zëvendësuar Kristiano Ronaldon te Real Madrid. Ai është një nga personazhet më të famshëm dhe të pëlqyer nga të gjitha moshat, por më veçanërisht nga fëmijët.
Karl Fleçer
Më shumë se 10 vite dhe mbi 420 episode të serialit “DreamTeam” në Sky 1 e ka bërë shumë të famshme ekipin e Harchester United. Është një klub me disi më fat në fakt, pasi nuk është shuar edhe pas një rrëzimi avioni, djegies së stadiumit dhe vdekjes së trajnerit, duke shkuar deri në Premier League. E gjitha brenda kornizave të skenarit të një filmi, por që Karl Fleçer e ka bërë shumë të famshëm. Ai është sulmues në film dhe karrierën e tiij me ekipin e Harchester United ka shënuar 172 gola. Dhe mund ta merrni me mend që gjatë karrierës së gjatë të Fleçer brenda në film, ai ka pasur disa raste kur i është bërë surpriza në fushe, por edhe mashtrime të shumta në dhomat e zhveshjes.
Fleçer u largua nga seriali për disa pjesë, por kjo solli një reagim negativ te ndjekësit e filmit. Por producenti ia doli që t’i rezervojë Fleçerit një rikthim të bujshëm në serial. Ai u rikthye në pjesën finale të serialit, teksa ekipi i tij, Harchester United ishte pranë fitimit të Premier League. Fleçer duket në pjesën e fundit të filmit teksa këshillon mesfushorin Jejzon Porter, që shënoi golin e triumfit.
Santiago Munez
Nga një meksikan i varfër në lagjet e Los Anxhelos, deri tek partneriteti në sulmin e Njukastell Junajtid me Alan Shirer, kjo është historia e Santiago Munez. Ai është një nga futbollistët më të famshëm në botë, që nuk ka luajtur asnjëherë futboll.
Filmi i vitit 2005, “Goal” tregon historinë e sulmuesit Munez që ishte një djalë si gjithë meksikanët e tjerë në Los Anxhelos dhe më pas bëri karrierë të famshme në futbollin europian në nivelet më të larta. Munez në film luan me disa nga ekipet më të mëdha në Europë, si Totenham, Njukastëll, Real Madrid. Në disa pjesë të filmit ai shfaqet në krahë të disa prej futbollistëve më të mëdhenj të saj kohe, si Figo, Ronaldo, Bekam, Zidan, Raul dhe Alan Shirer.
Ali Dia
“Ali Dia, ai është gënjeshtar, ai është gënjeshtar”. Ky është një nga koret më të famshëm të tifozerisë së Sauthempton për lojtarin e tyre me famën më negative.
Historia e Dia ka zënë fill nga sulmuesi legjendar i Milan, Xhorxh Ueah, i cili i sugjeroi trajnerit të Sauthempton emrin e Dia. Ueah i tha trajnerit Sunez se bashkë me Ali Dia, ata kishin luajtur futboll te PSG dhe se ai kishte shënuar disa gola të bukur me kombëtaren e Senegalit.
Fjala e Ueah e bindi trajnerin e Sauthempton, Sunez që e mori Ali Dia, duke i ofruar një kontratë dhe i dha atij shansin për të luajtur në Premier League kundër Lids. Por sapo u fut në lojë, nuk kaluan më shumë se 20 minuta dhe tifozët bashkë me trajnerin e kuptuan se nuk kishin të bënin me një futbollist profesionist. Ai u largua nga fusha e lojës dhe nuk e pati më mundësinë të luante as në Premier League dhe Championship.
Jesminder Bhamra
Ishte shoqe skuadre me Keira Knightley, shënoi golin e fitores në finale për ekipin e saj dhe më pas u transferua për të luajtur futboll në SHBA, mjafton kaq për të krijuar idenë se për Jesminder Bhamra nuk kishte ndonjë gjë të pamundur. Ajo madje mund të driblonte dhe gjuante goditjet e dënimit si Devid Bekam.
Në vitin 2002 Bhamra mori pjesë në filimin “Bend It Like Beckham”. Bashkë me shoqen e saj ajo fillon të luaj futboll, duke thyer kështu traditat e vendit të saj, ku ky sport konsiderohet si një sport burrëror. Filmi përveçse e bëri shumë të famshme si futbolliste Bhamra, gjithashtu shërbeu edhe si një thyes i barrierave për femrat në futboll. Ajo është konsideruar si futbollistja më e famshme që nuk ka luajtur asnjëherë në futbollin profesionist.
Ivica Strok
Ivica Strok ka shënuar 800 gola për Sëlltik dhe është futur në histori tani si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, në lojën Football Manager.
Karakteri Strok u krijua në lojërat elektronike nga Xhoni Sharples dhe u bë akoma më i njohur përmes rrjeteve sociale. Strok është një djalë kroat që ka mbërritur në Skoci fillimisht në një banesë modeste me qira.
Arritjet e Strok si futbollist në Football Manager janë të pabesueshme. Gjatë kohës së tij në Skoci, ai ka tejkaluar legjendën e legjendës Sëlltik, golashënuesin rekordmen Xhimi MekGroi, duke e udhëhequr ekipin e tij në lavdinë evropiane, fitoi disa Topa të Artë dhe fitoi Euro 2032 me kombëtaren e Kroacisë.
Karl Pauer
Karl Pauer e bëri debutimin e tij me një foto zyrtare me Mançester Junajtid para ndeshjes në Ligën e Kampionëve në prill të vitit 2001.
Teksa, Rajan Gigs, Endi Kol, Fabian Barthez, Jap Stam dhe gjithë futbollistët e tjerë të “djajve të kuq”, po pozicionoheshin për të bërë foton, një lojtarë i 12-të iu bashkua fotos. Ai nuk ishte një lojtarë i Mançester Junajtid, por një njeri i zakonshëm, por Karl Pauer.
Ai do të futej në fushën e lojës, duke u shtirur sikur ishte pjesë e një grupi televiziv dhe e fshehu fanellën e Junajtid nën xhaketë. Në momentin e shkrepjes së fotos ai hoqi xhaketën dhe u shfaq në krahë të lojtarë të Mançester Junajtid. Kjo foto e bëri shumë të famshëm Pauer në fillimin e viteve 2000 dhe do të merrte pjesë në shumë evente sportive, por këto herë sigurisht i ftuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




