Nga Gazeta 'SI' - Administrata Tatimore ka njoftuar se do të ushtrojë kontrolle në 7.000 biznese, të vlerësuara me risk për sa i përket deklarimit të pagave.
Në njoftim, Tatimet bëjnë thirrje për deklarim real të pagës së punonjësve dhe u jep mundësinë shkelësve të korrigjojnë deklaratën e nëntorit, për t’i shpëtuar kontrollit dhe masave.
“Kontrolli do të nisë për 7,000 tatimpagues të identifikuar me risk, të cilët nuk kanë reflektuar as pas njoftimit të dytë të Administratës Tatimore.
Ftojmë bizneset të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre!
Nëse deklarimi i pagave reale bëhet tani, duke korrigjuar deklaratën në muajin nëntor, subjektet e identifikuara me risk do të përjashtohen nga kontrolli tatimor”, njofto Drejtoria e Përgjithshme.
Kjo është faza përfundimtare e nismës anti-informalitet, njoftuar nga kryeministri i vendit. Në takime me biznese dhe punonjës, kreu i qeverisë, Edi Rama paralajmëroi se do të ketë penalitete të forta për këta shkelës të ligjit që “po vjedhin pensionet e shqiptarëve”.
Administrata Tatimore më herët pati njoftuar se kishte identifikuar rreth 37 mijë tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave. Tashmë 7000 prej tyre do të kalojnë në sitën e kontrollit tatimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.