Filma

67 vite nga premiera e filmit të parë shqiptar ‘Tana’

Nga Gazeta “SI”– Më 17 korrik 1958, në ekranin shqiptar u shfaq për herë të parë një film i prodhuar tërësisht nga autorë dhe aktorë vendas.

 “Tana”, me regji të Kristaq Dhamos dhe skenar të novelistit Fatmir Gjata, është konsideruar si gurthemel i kinematografisë shqiptare.

I prodhuar nga “Shqipëria Film”, ky realizim i parë zyrtar solli një qasje të re në artin filmik në vend, duke u fokusuar jo vetëm te një tematikë me ngarkesë ideologjike si kolektivizimi i bujqësisë, por edhe te transformimet sociale dhe përplasja mes së resë dhe zakoneve patriarkale.

Në ndërtimin e skenarit bashkëpunuan Fatmir Gjata, Nasho Jorgaqi dhe vetë regjisori Kristaq Dhamo. Ngjarjet vendosen në një fshat ku dashuria e dy të rinjve vihet në rrezik nga mentaliteti konservator, që përfaqëson një nga sfidat më të mëdha të kohës.

Tinka Kurti dhe Naim Frashëri ne filmin “Tana”

Tinka Kurti, në rolin e Tanës, përkrah Naim Frashërit si Stefani, Kadri Roshit si Lefteri dhe Andon Panos në rolin e kryetarit të kooperativës, sjellin një interpretim që sot konsiderohet klasik. Një nga momentet që bëri histori ishte edhe puthja e parë në ekranin shqiptar, një skenë që u përfol gjatë për kurajën e saj.

“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” tregon aktorja Tinka Kurti.

Muzika e filmit, e kompozuar nga Çesk Zadeja, kontribuon në atmosferën e tij të veçantë, duke e kthyer “Tana”-n në një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kinematografike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë