Ngjarje

65 vjet nga tërmeti më i madh në Greqi

Nga Aleksandër Marku-65 vjet më parë më 12 gusht 1953, qytetet dhe fshatrat e Zakinthos, Qefalonisë dhe Itakës u shkatërruan nga tërmeti më i madh i regjistruar ndonjëherë në vend, me intensitet 7.2 shkalla Rihter. Bilanci tragjik ka regjistruar 871 të vdekur, 1.690 të plagosur dhe 145.052 të pastrehë. Tërmeti i kishte paralajmëruar banorët tre ditë më parë kur u ndjenë lëkundjet e para.

Të martën, më 11 gusht 1953, ishulli u trondit nga një lëkundje e fuqishme sizmike, madhësia e së cilës u llogarit në 6.8 Rihter, që shkaktoi dëme të mëdha dhe plagosi shumë banorë. Sipas telegrameve të atëhershme të shërbimeve teknike të prefekturës, 75% e banesave u cilësuan të rrezikshme gati për shembje dhe pothuajse në të gjitha shtëpitë e tjera nuk mund të banonte askush, për shkak të dëmeve  që kishin pësuar.

Nga ky tërmet u shemb një pjesë e Shkëmbit të Kuq që mbylli edhe rrugën për në Krioneri. Nga kjo lëkundje nuk pati viktima, por vetëm nëntë të plagosur. Të mërkurën në 12 gusht në orën 11.30 të mëngjesit, u regjistrua tërmeti i madh, i cili u dha goditjen përfundimtare shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i mëparshëm dhe shkaktoi një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e Greqisë moderne.

Sizmografët regjistruan një lëkundje prej 7.2 Rihter. Për 45 sekonda toka dridhej me një tërbim të pabesueshëm, të gjitha rrugët u mbyllën nga gërmadhat, skenat të tmerrshme u panë nga njëri cep në cepin tjetër të qytetit, por edhe në fshatra. Përmes rrënojave dëgjoheshin klithmat e dhimbjes dhe rënkime. Duke sakrifikuar edhe veten, shumë qytetarë përpiqeshin me duar e çfarë të mundnin , të shpëtonin brënda rrënojave të mbijetuarit.

Zakynthos

Pasuan disa lëkundje të tjera sizmike, njëra prej të cilave solli edhe rrëzimin e statujës së poetit grek Dhionisis Solomos në sheshin qendror të qytetit.

Disa orë më vonë, grushti i fundit i jepet ishullit të rrënuar tashmë, nga një tërmet tjetër  6.2 Rihter i cili rrëzoi edhe ato pak banesa që nuk ishin shembur. Midis tyre edhe kulla e këmbanës së Shën Dhionisit. Asnjë shtëpi nuk mbeti në qytet dhe të vetmet ndërtesa që rezistuan ishin kisha e Shën Dhionisit, shkolla e Ammosit, Banka Kombëtare dhe shtëpia Sarakini në rrugën e sotme Eleftherios Venizelos.

Nga tërmeti u ndërpre komunikimi i ishullit me botën e jashtme dhe drejtori i atëhershëm i portit të ishullit  u nis me nxitim me anije për në portin më të afërt të Kilinit, për të informuar organet vendore dhe qeverinë për dimensionet e katastrofës.

Ndihma nga deti

Në qendër të qytetit, zjarri që shkaktoi në disa vende tërmeti shkatërroi gjithçka. Në sheshe dhe vendet e hapura silleshin të plagosurit. Në mbrëmje arriti në Zakintho anija «Limnos» me furnizime dhe materiale. Në anije ndodheshin deputeti Gigi Voultsos dhe kryebashkiaku Nikos Filiotis. Në mbrëmje, mbërriti në ishull edhe Ministri i Mbrojtjes Panagiotis Kanellopoulos me një anije luftarake nga e cila u shkarkuan gjithë furnizimet e saj dhe u dha një ndihmë prej 100.000 dhrahmi. Ndërkohë zjarri kishte djegur pjesën më të madhe të qytetit.

Ndihma e parë e konsiderueshme arriti të enjten në mëngjes më 13 gusht, me anijet «Kostakis Togias » dhe  «Pulëbardha» me furnizime kryesisht shëndetsore bashkë me mjekë dhe infermierë që shoqëroheshin nga disa prej gazetarëve të njohur të kohës. Në orën 9 të mëngjesit mbërriti edhe anija luftarake britanike "Gambia" nga e cila dolën repartet zjarrfikëse me mjetet e nevojshme dhe filluan të fikin zjarret.

Pak orë më vonë atë ditë, mbërriti në Zakintho shefi i forcave britanike në detin Mesdhe lordi Louis Mountbatten i cili në telegramin e tij të parë e përshkroi situatën në qytetin e Zakinthos dhe më të keqe se ajo e Hiroshimës pas bombardimeve.

Mesazh i kryeministrit Papagos

Në Athinë, kryeministri Alexandros Papagos, pas u informua nga ministrat përkatës, mblodhi këshillin koordinuews të qeverisë dhe vendosi dhënien e ndihmave për të dëmtuarit nga tërmetet. Në të njëjtën kohë u krijua një komision i madh për mbledhjen e ndihmave nga Kryepeshkopata e Athinës dhe Kryeministri me një mesazh të tij drejtuar popullit grek bëri thirrje për ndihmë nga të gjithë.

Të premten, më 14 gusht arriti në Zakintho edhe anija "Alfios" me çadra, furnizime dhe barna. Një brigadë inxhinerike ndërmori shembjen e shtëpive të djegura. Ushtarë nga Zelanda e Re morën përsipër detyrën e vështirë për të mbledhur të vdekurit. Ata hapën rrugën përgjatë lumit Shën Harallambi deri në varrezat qëndrore. Në hyrje të varrezës, ata hapën varrin e parë masiv.

Qefalonia

Në të njëjtën ditë u zhvillua në kryqëzorin  "Gambia" një mbledhje nën kryesinë e admiralit  britanik Mountbatten dhe autoriteteve lokale. Aty u vendos të ngrihej një komision për koordinimin dhe shpërndarjen e ndihmës së huaj. Qëllimi i forcave greke dhe atyre të huaja ishte të kufizonin zjarrin, të gjenin të mbijetuarit dhe të parandalonin epidemitë.

Mobilizimi i komunitetit ndërkombëtar

Tragjedia e ishujve grekë preku gjithë komunitetin ndërkombëtar. Lideri i Flotës së 6-të të SHBA-s admirali Cassidy  u vendos në Patra dhe furnizoi me ushqim dhe ilaçe tre ishujt që u shkatërruan. Gjithashtu u organizua gradualisht mekanizmi administrativ.

Kudo u vendosën çadra. Por pasdite një zjarr që ende nuk ishte fikur morri përmasa dhe dogji edhe kishën historike të Faneromenit me të gjitha thesaret e saj që u varrosën nën rrënoja.Brigada me ushtarë grekë, britanikë dhe amerikanë u përpoqën të fiknin zjarret dhe të gjenin ndonjë të mbijetuar në gërmadhat e shtëpive.  Në mesditë arriti në Zakintho edhe mbreti Pavlos me gruan e tij Frederiki dhe trashëgimtarin Konstantin.

Mbërritën edhe tri anije të tjera si dhe ajo luftarake amerikane "Rockbridge" të mbushura me ilaçe, ushqime dhe materiale të tjera të nevojshme. Pasdite hyri në port edhe kryqëzori britanik «Limnos» për të zëvendësuar anijen "Gambia". Transportonte materiale të ndihmës së parë dhe një helikopter.

Ditët e ardhshme e gjetën Zakinthon në përpjekje për tu rimëkëmbur  pas goditjeve të njëpasnjëshme të tërmetit. Të martën më 18 gusht, u krijuan pesë qendra për të dëmtuarit nga tërmeti, ndërsa në ditët që pasuan mbërrijnë në port edhe anije të tjera me ndihma.

Zakynthos

Në të njëjtën kohë në Paris transmetohej në radio deklarata e Paktit të Atlantikut Verior (NATO), me anë të së cilës shprehej ngushëllimi për humbjet nga tërmetet dhe falenderoheshin për mbështetjen ndaj qeverisë dhe popullit grek, shtetet anëtare. Këshilli Koordinues Qeveritar në Athinë vendosi të ngrejë një ministri për rimëkëmbjen e të dëmtuarve nga tërmetet.

Ditët në vijim mbërrin në Zakintho kryeministri Aleksandros Papagos me një anije luftarake dhe viziton kampet në qytete dhe në fshatra. U ndalua përkohësisht lëvizja e popullsisë, ndërsa të hënën, më 24 gusht, Zakintho e lënduar festoi ditën e shenjtorit të saj.

Më në fund mbërriti edhe ndihma e huaj në lëndë drusore, materiale ndërtimi dhe shtëpi të përkohëshme. Një ndihmë jashtëzakonisht të madhe dhanë shërbesat e organizuara nga Kisha Greke.  Qeveritë e huaja dërguan gjithashtu ndihmë financiare dhe një numër të madh të shtëpive të përkohëshme. Jeta dalë ngadalë filloi të kthehej në ritmet e saj dhe banorët e ishullit të rrënuar, vendosën të fillojnë çdo gjë nga e para.

Burimi: AMNA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë