Ngjarje

65-vjeçari i vdekur në Tale, dyshim për krim në familje. Kishte probleme me të birin

Nga Gazeta ‘SI’ – Trupi i 65-vjeçarit Gjergj Tusha, që u gjet i vdekur pasditen e së premtes pranë brigjeve të lumit Mat në fshatin Pllanë të Lezhës, është dërguar për ekspertizë të specializuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Dyshohet se fillimisht ai është dhunuar pasi ka plagë në disa pjesë të trupit dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.

65-vjeçari ishte me origjinë nga Bushkashi i Matit, por jetonte në Pllanë të Lezhës. Ende nuk dihen rrethanat dhe arsyet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por grupi hetimor po heton edhe pistën e krimit në familje pasi ai ishte pajisur tre herë me urdhër mbrojtjeje për shkak të problemeve me të birin.

Në vitin 2022, ai kishte marrë urdhër mbrojtjeje për dhunë fizike dhe psikologjike, ndërsa në vitin 2023, i biri ishte arrestuar për dhunë.

Policia u vu në lëvizje për 65-vjeçarin pasi mori një telefonatë në Sallën Operative rreth orës 14:40 nga e bija se kishte humbur kontaktet prej paradites me të atin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë