Bota

64 rajone në flakë, Kreta dhe Rodos në rrezikun ekstrem në Greqi. Zjarret në Korfuz shikohen nga Saranda (Video)

Prej disa ditësh, një pjesë e Greqisë është në luftë me vatrat e zjarrit. Gjatë mbrëmjes së të hënës, shumë banorë të Rodos, Korfuzit, Karystos dhe Dervanaki të Akaisë u përballën me vatra zjarri.

Dita e sotme është parashikuar të jetë veçanërisht e vështirë pasi temperaturat janë të larta dhe në vende si Gennadi dhe Vati në Rodos është vështirësuar shumë puna e zjarrfikësve, ndërkohë që erërat kanë krijuar vatra të reja.

Në Rodos po operojnë 266 zjarrfikës, 16 grupe të njësive këmbësore dhe 55 automjete. Dy avionë dhe dy helikopterë po ndihmojnë nga ajri.

Situata është e vështirë edhe në Evia, ku zjarri është ndezur pranë vendbanimeve Platanistos dhe Potami Evia.

Forca të shumta tokësore dhe 4 avionë dhe një helikopter po punojnë për shuarjen e zjarreve, ndërsa pritet të përforcohen edhe me mjete të tjera ajrore.

Ndërkohë në Korfuz dyshohet se zjarret janë vënë qëllimisht. Kryetari i bashkisë së Korfuzit, Yorgos Mahimaris tha dje se një person ka nisur zjarret që shkaktuan edhe evakuime masive të dielën, ndërsa zjarrfikësit luftuan për t’i vënë në kontroll. Zjarret në Korfuz janë parë që nga Saranda.

Mahimaris arriti në këtë përfundim pasi vizitoi tre vende ku shpërthyen zjarret në malin Pantokratoras.

Sipas Hartës së Parashikimit të Rrezikut nga Zjarri të lëshuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, për ditën e sotme parashikohet:

Rreziku ekstrem nga zjarri, Gjendja e alarmit (kategoria e rrezikut 5) për zonat e mëposhtme:

– Rajoni i Kretës (Rethymnon, Heraklion, Lasithi)

– Rajoni i Egjeut Jugor (Rodos)

Rrezik zjarri shumë i lartë (kategoria e rrezikut 4) për zonat e mëposhtme:

– Rajoni i Atikës

– Rajoni i Greqisë Qendrore

– Rajoni i Egjeut të Veriut (Samos, Ikaria)

– Rajoni i Egjeut Jugor (Karpathos, Kalymnos, Kos)

-Rajoni i Thesalisë (Larissa, Magnesia)

– Rajoni i Kretës (Chania)

– Rajoni i Peloponezit

-Rajoni i Greqisë Perëndimore.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se vendi i tij ishte në ”luftë” me zjarret që shpërthyen në 64 rajone në të gjithë vendin të hënën dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra turistë në ishuj të ndryshëm pushimesh të evakuohen.

”Zjarri në Rodos ka dëmtuar rreth 10% të hoteleve të ishullit”, sipas kryeministrit.

Greqia po pret të enjten, pasi meteorologët kanë thënë se temperaturat do të bien rreth 35 gradë Celsius, që është normale për periudhën e vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë