Ngjarje

620 vjet nga lindja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Nga Gazeta “SI”– Gjergj Kastrioti, strategu shqiptar që sfidoi Perandorinë Osmane për 25 vjet me radhë, mbetet një nga figurat më të ndritura të historisë sonë.

Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405 në Mat, si fëmija më i vogël i Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, në një familje që numëronte nëntë fëmijë. Fati i tij do të ndryshonte që në moshë të re, kur pas disfatës së të atit përballë Sulltan Muratit në vitin 1421, ai u mor peng dhe u dërgua në oborrin perandorak në Adrianopojë, si shumë djem princërish të tjerë.

I pajisur me dhunti të rralla mendore dhe fizike, Gjergji u përzgjodh për shkollimin elitë që përgatiste komandantët e ardhshëm të perandorisë. Aty mori emrin Iskënder, në nder të Aleksandrit të Madh, për shkak të zgjuarsisë dhe trimërisë që shfaqi. Pas diplomimit, ai shërbeu si komandant ushtarak në Ballkan dhe Azi të Vogël, duke u dalluar për aftësi strategjike dhe heroizëm. Për këtë iu dha titulli “bej”, që do të thotë princ ose fisnik  dhe prej këtu lindi emri që historia do ta njohë përgjithmonë: Skënderbeg.

Edhe pse në shërbim të perandorisë, Skënderbeu nuk e harroi kurrë vendlindjen. Me vdekjen e të atit, shpresa për të trashëguar principatën e Kastriotëve u shua, kur sulltani e emëroi në një post të largët, jashtë tokave shqiptare. Por ideja për t’u kthyer në atdhe mbeti gjallë. Rasti iu dha në vitin 1443, kur luftërat e mëdha të kohës i krijuan mundësi për rebelim.

Më 3 nëntor 1443, pranë Nishit, në një betejë kundër forcave të Janosh Huniadit, ushtria osmane u shpartallua tërësisht. Skënderbeu, së bashku me 300 kalorës shqiptarë dhe nipin e tij Hamza Kastrioti, u kthye  në Dibër, ku u prit si çlirimtar. Pas sigurimit të rrugëve strategjike, ai marshoi drejt Krujës. Me një ferman të falsifikuar, arriti të merrte qytetin dhe garnizonin e tij pa gjakderdhje. Më 28 nëntor 1443, ai shpalli zyrtarisht rimëkëmbjen e principatës së Kastriotëve dhe ngriti mbi kështjellën e Krujës flamurin me shqiponjën dykrenare.

Kryengritja u përhap me shpejtësi në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut. Gjatë dhjetorit të atij viti, njëra pas tjetrës, kështjellat shqiptare çliruan veten nga zgjedha osmane. Në mars të vitit 1444, Skënderbeu organizoi Kuvendin e Lezhës, ku u krijua Lidhja Shqiptare e Lezhës dhe ai u zgjodh prijësi i saj. Për të forcuar lidhjet me princër të tjerë shqiptarë, u martua me Donika Arianitin, vajzën e Gjergj Arianitit.

Heroizmi i tij zgjati një çerek shekulli. Por në janar të vitit 1468, teksa ndodhej në një kuvend me princat shqiptarë, Skënderbeu u sëmur rëndë dhe vdiq më 17 janar në Lezhë. Ai u varros aty, i nderuar nga populli i tij dhe i respektuar edhe nga kundërshtarët. Me vdekjen e tij, Shqipëria humbi një udhëheqës të pazëvendësueshëm. Familja e tij, përfshirë të shoqen Donika dhe të birin Gjoni, u detyruan të emigrojnë drejt Italisë, si shumë nga paria shqiptare.

Në kujtesën popullore, Skënderbeu mbetet simbol i rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Përkrenarja e tij, që besohet të ketë qenë një homazh për Pirron e Epirit, është bërë simbol i qëndresës shqiptare dhe dëshmi e lidhjes sonë të pandërprerë me identitetin europian.

Skënderbeu në art, letërsi dhe muzikë

Figura e Skënderbeut ka frymëzuar vepra të shumta letrare, historike dhe artistike në Evropën Perëndimore, sidomos gjatë shekujve XVI–XVIII, kur rreziku osman ishte i madh. Heroi shqiptar u kthye në simbol të qëndresës së krishterë kundër Perandorisë Osmane. Marin Barleti shkroi biografinë e tij në latinisht rreth vitit 1508, e cila u përkthye në shumë gjuhë europiane dhe ndikoi gjerësisht në perceptimin e tij si hero kontinental.

Shkrimtarë si Voltaire, Byron e Longfelloë, si dhe dramaturgë britanikë, i kushtuan Skënderbeut poezi, tragjedi dhe ese. Kompozitorë të njohur si Vivaldi dhe Francœur krijuan opera kushtuar figurës së tij. Në shekullin XX, Skënderbeu u përjetësua edhe në film, me produksionin sovjeto-shqiptar “Skënderbeu” (1953). Figura e tij mbetet një burim krenarie kombëtare dhe frymëzim i vazhdueshëm në kulturën shqiptare dhe më gjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë