Nga Gisela Troplini – Trendi i punës së të rinjve në Shqipëri, të paktën vitet e fundit duket të jetë orientuar nga sektori i shërbimeve. Punë që nuk kërkon specializim në pjesën më të madhe të rasteve, fleksibël dhe para. Sidomos, kur ata migrojnë.
Një ndër fenomenet më të shpeshta që ndodh në vendin tonë me punëtorët e sektorit turistik është migrimi sezonal, largimi nga një vend pune në zonat urbane për të punuar diku tjetër në zonë turistikë, gjatë sezonit turistik.
“Sipas burimeve tona, rreth 60% e stafeve që punojnë në Hoteleri-Turizëm në Tiranë, gjatë sezonit të verës, i drejtohen qyteteve turistike për punë sezonale”, tregon për Gazetën “Si”, Ana Abazi nga platforma “Profesionisti” e krijuar posaçërisht për tregun e mesëm të punës, pra për punonjësit e sektorit të shërbimit.
Ajo tregon se ka edhe vetë biznese të përqëndruara në kryeqytet që mbajnë stafin gjatë dimrit të punëusuar aty dhe e transferojnë atë në bregdet gjatë verës, po në bizneset e tyre atje.
Menaxherja e “Profesionisti” tregon se të rinjtë informohen nga rrjeti i tyre shoqëror për tranzite të tilla profesioni.
Nga informacione të dhëna nga vetë të rinjtë për gazetën “SI”, fitimi i tyre në një biznes bregdetar gjatë verës është 50-60% më i lartë në raport mujor dhe shumë prej tyre mund të marrin në një muaj në bregdet aq sa për 3 muaj punë në qendër të Tiranës.
Nesti, një 22-vjecar nga qyteti i Tiranës dhe banues aty, ka rreth 3 vite që është bërë pjesë e migrimit sezonal gjatë periudhës së verës. Ai tregon për “SI” se dy vera më parë ishte punësuar në një hotel në Lalz si kamarier, ndonëse pozicioni që kishte lënë në Tiranë ishte kuzhinier. Në Lalz, Nesti merrte 80 mijë lekë pagë si kamarier, pak më e lartë se paga e tij si kuzhinier në kryeqytet. Bashkë me bakshishet, 22-vjecari merrte në fund të muajit mbi 100 mijë lekë.
Verën e kaluar ai vendosi të shkontë dhe një restorant në Himarë për sezoni turistik, këtë herë si kuzhinier me pagën mbi 100 mijë lekë.
I riu tregon se në mbyllje të sezonit ai rikthehej në Tiranë dhe futej përsëri në punë në shërbim duke pritur verën gati për migrim.
Nesti shprehet për gazetën “SI” se këtë herë ka punuar të gjithë vitin në qytetin e Gjilanit në Kosovë si kuzhinier dhe po mendon rikthimin në bregdet gjatë verës bashkë me shokët e tij.
M.R, ishte vetëm 19 vjeç kur “migroi”për herë të parë në Dhërmi,si kamarier në një lounge buzë detit. Ai tregon për “SI” se fillimisht punonte në një ndër restorantet më me emër në kryeqytet, por kushëriri i tij i tha se ccfarë po ndodhte në jug.
“Sigurisht që ishin paratë arsyeja kryesore pse lashë punën në Tiranë për të punuar në Dhërmi. Atje vetëm bakshishet më shkonin më shumë se paga që kisha në Tiranë”,- tregon M.R.
Përvec kësaj ai shton edhe rehatinë si një element joshës. Në restorantin në kryeqytet duhet të bënte kujdes me qëndrimet, shikimet, veshjen dhe aparencën, ndërsa në Dhërmi mjaftonte t’i dërgonte porosinë klientëve dhe të gjithë ishin të lumtur.
M.R thotë se për shkak të disa ngatërresave të ndodhur aty, atij iu desh të bënte edhe banakierin e të mbante lounge-in i vetëm pothuajse 24 orë.
“Lodhje e tmerrshme, por për një muaj mora 300 mijë lekë të reja. Para që në Tiranë më duhej 6 muaj a më shumë t’i bëja”,-thotë ai për gazetën.
Punonjësit që migrojnë akomodohen në mjedise nga pronarët e bizneseve që në të shumtën e rasteve nuk janë farë të përshtatshme. Ata pranojnë të largohen nga komoditeti i shtëpisë dhe të jetojnë përkohësisht pa kushte, por me para në xhep.
Rrjedhimisht, gjatë kësaj periudhe bizneset në Tiranë përballen me mungesë stafi. Sipas menaxheres Abazi, shumë biznese që operojnë në rrethin e Horeca-s (rrjet i industrisë së bareve dhe restoranteve në Europë) marrin kursantë nga shkollat profesionale dhe studentë.
“Gjatë verës edhe volumi i shërbimeve reduktohet dhe situata arrin të menaxhohet”, shprehet menaxherja. Nga ana tjetër, gjatë sezonit, shumë bare punësojnë përkohësisht familjarë apo të afërm të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.