Nga Gazeta 'SI' - Më shumë se gjysma e familjeve në Shqipëri janë në gjendje jo të mirë financiare.
Sipas një analize të kryer nga Banka e Shqipërisë, 60% e familjeve në vend konsiderohen “financiarisht të brishta” dhe e kanë të vështirë të përballojnë shpenzime të papritura.
Analiza thekson se ka një korrelacion midis gjendjes financiare të familjeve shqiptare dhe nivelit arsimor të të parit të familjes, personit referues.
Studimi i Bankës thotë se brishtësia financiare është më e vogël tek familjet që kanë akses në financa dhe kanë lidhje familjare.
Në një përllogaritje me vlera nominale, 60% e familjeve shqiptare përkthehen në 453.570 familje, nga 755.950 të regjistruara nga CENSI 2023.
Një raport i ngjashëm nga Eurostat tregon se prindërt e paarsimuar mirë trashëgojnë pamundësinë ekonomike tek fëmijët dhe shifrat e Shqipërisë janë ndër më të lartat në Europë. Sipas të dhënave, Shqipëria ka përqindje të lartë të të rinjve nga mosha 25-28 vjeç (28.5%) që rrezikojnë varfërinë për shkak të trashëgimisë së ulët arsimore të prindërve.
Rreth 42% e popullsisë së Shqipërisë është në rrezik varfërie, duke u renditur kështu si vendi me varfërinë më të madhe në rajon dhe Europë. Sipas Eurostat, varfëria në Shqipëri shkon në 50% të popullsisë kur llogariten dhe familjet që kanë dhe fëmijë në varësi.
Një tjetër anketë më e hershme e BSH-së, tregonte se 24% e familjeve shqiptare kishin një borxh për të paguar. Për 83% të këtyre familjeve, pagesa e huasë zë më pak se 30% të të ardhurave mujore, ndërsa për 12% e kalon këtë vlerë.
Rreth 55% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese ‘nuk ka ndryshuar’ gjatë periudhës, ndërsa pjesa tjetër raportojnë ‘përkeqësim të aftësisë’ së tyre paguese, por ndjeshëm më të zbutur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.