Treg

6-mujori / 20 mijë të punësuar më pak në sektorin privat, rritet ndjeshëm vetëpunësimi

Punësimi në sektorin privat ende nuk po rimëkëmbet pavarësisht lehtësimit të masave kufizuese të pandemisë.

 Në 6-mujorin e parë, numri mesatar i të punësuarve që paguajnë sigurime arriti në 727,905 persona duke u rritur me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore(ISSH).

Por punësimi në sektorin privat nuk pati të njëjtën tendencë.Numri i kontribuuesve në firmat private ishte 370,882 persona në 6-mujorin e parë,  20.751 persona më pak, duke u ulur me 5.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020,kur vendi ishte në kulmin e pandemisë.

Rritja e numrit të kontribuuesve në skemë këtë 6-mujor është nxitur nga sektori shtetëror, në të cilin janë punësuar më shumë njerëz në prag të zgjedhjeve parlamentare prillit.

Sipas të dhënave, gjatë 6-mujorit, ndërmarrjet jo-buxhetore në pronësi të shtetit të tilla si kompanitë e energjisë dhe ujësjellësit punësuan rreth 7 mijë persona më shumë se 6-mujorin e parë 2020 me një rritje vjetore prej 49.5%.

Gjithashtu punësimi në sektorin shtetëror shënoi rritje më tej, duke u zgjeruar me 5,600 persona ose 4.1% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë 6-mujorit të parë shihet një përmirësim i ndjeshëm në vetëpunësim.

ISSH raporton se në gjysmën e parë të vitit derdhën kontribute 133,874 të vetëpunësuar me një rritje 68% në raport me vitin e kaluar.

Përmirësim shënuan edhe të vetëpunësuarit në bujqësi. Në janar-qershor 2021 janë punësuar me sigurime rreth 52 mijë persona, me një rritje 20% ose 8672 persona më shumë se një vit më parë.

Në të kundërt të tendencës së përgjithshme, kontribuuesit vullnetarë në skemën e sigurimeve shënuan rënie vjetore me 1.4% me një numër total 5525 persona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë