Politike

6 muaj në arrest shtëpie për dosjen ‘Partizani’, Berishës nuk i hiqet mandati i deputetit, Kuvendi: Ka munguar me arsye

Sali Berishës nuk do t’i hiqet mandati edhe pse ka gjashtë muaj që nuk është në Kuvend.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka dhënë një shpjegim ligjor të servirur nga strukturat e Kuvendit lidhur me mandatin e Berishës në mbledhjen e konferencës së kryetarëve që u mbajt të mërkurën në mesditë.  

“Sot Kryetarja e Kuvendit, lexoj drejt Kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha.

Strukturat ligjore të Kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye. Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve të sponsorizuara nga segmente të mazhorancës.

Ne kërkuam që zotit Berisha, në përputhje me Kushtetutën t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë në seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare”, tha kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment  Bardhi.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

Berisha pretendonte se masat ishin anti-Kushtetuese, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë  leje nga Kuvendi për të kufizuar veprimtarinë e tij si deputet.

Dhe pasi SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi që u miratua, Prokuroria Speciale vendosi të aplikojë një masë më shtrënguese, atë të arrestit shtëpiak, që është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën e Lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë