Politike

6 muaj në arrati / Ahmetaj humb mandatin, nëse Dallëndyshe Bici refuzon, në Kuvend futet Plarent Ndreca  

Arben Ahmetaj pritet të humbasë mandatin e deputetit, pasi në kushtet e arratisë, ai nuk është paraqitur në Kuvend 6 muajt e fundit.

Seanca e 6 Korrikut ishte e fundit kur Ahmetaj ka shkelur në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas përcaktimeve kushtetuese kjo e shtunë, 6 Janar është dita e fundit që Ahmetaj mund të gëzojë mandatin e deputetit

Neni 71 i Kushtetutës, gërma “d” përcakton se “mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.

Pas 6 Janarit, Kuvendi do të duhet të shpallë vakancën e krijuar duke njoftuar zyrtarisht KQZ-në për plotësimin.

Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt për të njëjtën zonë zgjedhore.

Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici e cila aktualisht drejton Agjencinë e Kadastrës.

Nëse Bici refuzon mandatin, atëherë radha i kalon emrit tjetër në listë juristit Plarent Ndreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë