Silvinjo nga java që vjen do të rifillojë monitorimin e lojtarëve, të cilët do të grumbullojë për Europianin ‘Gjermani 2024’. Ndryshe nga aktivitetet e vitit të shkuar, këtë Europian UEFA ka rivendosur kushtin e grumbullimit të vetëm 23 lojtarëve. Në dy edicionet e shkuara, Botëror dhe Europian, ishin 25 lojtarë, për shkak të pandemisë dhe të papriturave që solli ajo.
I pyetur nga Gazeta Si për këtë çështje, trajneri Silvinjo është shprehur: “Eshtë ende shumë shpejt për të hartuar listën, pasi janë gjashtë muaj deri në fillimin e Europianit dhe deri atëherë janë 6 muaj futboll.” Megjithatë, është stafi i tij që deri diku e ka tradhëtuar, pasi për të njëjtën temë ndihmësi Doriva tha: “Kemi në kokë 90% të listës dhe ka mbetur 10% për t’u përcaktuar!”
Nga burime afër ekipit kombëtar, Gazeta Si ka mësuar se do të jenë disa prurje të reja, që ndoshta mund të cënojnë, apo plotësojnë grupin e lojtarëve që ishin të pranishëm në këto eliminatore të Europianit. Ndër emrat e rinj që do të jenë në ekip dhe ata që priten, ndryshe nga eliminatoret e deritanishme, janë tre.
I pari është Armando Broja, i cili për shkak të gjendjes jo të mirë fizike nuk mundi të bëhej pjesë e kësaj fushate eliminatore. Megjithatë, i gjithë stafi i ekipit kombëtar nuk e diskuton praninë e tij, nëse do të rikthehet të luajë rregullisht, pasi padyshim që cilësitë e tij si lojtar nuk diskutohen.
Deri tani trajneri Silvinjo ka grumbulluar 24-25 lojtarë, që do të thotë se 1 ose 2 janë tepër nga kjo listë, duke shtuar këtu edhe futbollistët që nuk kanë dhënë atë që pritet. Trajneri do të marrë në Europian nga dy lojtarë për pozicion dhe këtu janë 3 portierët, 8 mbrojtës, 6 mesfushorë dhe 6 sulmues.
Por, nëse do të rikthehet Broja, do të ngushtojë rrethin e sulmuesve, duke qenë se në këto eliminatore janë grumbulluar zakonisht 7 sulmues: Sokol Cikalleshi, Taulant Seferi, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Jasir Asani, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku.
Myrto Uzuni
Ndër lojtarët e dyshuar, nisur edhe nga paraqitjet e kryera në këtë repart, janë të paktën dy: Arbnor Muja dhe Myrto Uzuni. Kjo lidhet me vlerësimin e tyre të deritanishëm me klubet, por kryesisht edhe me minutat që kanë pasur në ndeshjet eliminatore. Vitin e shkuar Uzuni arriti të shënonte 21 gola, por ishte në La Liga 2, në këtë sezon ekipi tij është në vendet e fundit dhe rrezikon rënien, ndërkohë që sulmuesi shqiptar ka shënuar 5 gola në 14 ndeshje.
Arbnor Muja
Gjithashtu Arbnor Muja, i ardhur si ‘i harruar’ i Kosovës, nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij me ekipin kuqezi. Në 5 ndeshjet e grumbulluara sulmuesi i Antverp në Belgjikë ka 120 minuta lojë, asnjë gol dhe pak vlerësim.
Keidi Bare
Një tjetër futbollist në pikëpyetje është edhe mesfushori Keidi Bare. Ai në këto eliminatore është grumbulluar në 7 nga 8 ndeshje dhe nga këto 7 ndeshje dy herë ka qenë në stol dhe nuk ka luajtur asnjë minutë, ndërkohë që në 5 ndeshje ka 130 minuta lojë, ku gjithashtu nuk ka justifikuar pritshmëritë për rolin e tij.
Klaus Gjasula
Mesfushori i Dramshtadit në Gjermani është grumbulluar në 7 ndeshje, përfshirë edhe miqësoren me Bullgarinë, ndërkohë në eliminatore ka qenë vetëm në 6 ndeshje, duke munguar në ndeshjet e para me Moldavinë dhe Ishujt Faroe për shkak të një dëmtimi.
Në këto ndeshje ai u aktivizua 88 minuta në ndeshjen e parë, që humbëm në Poloni dhe më pas në 4 ndeshjet që është aktivizuar, ka luajtur gjithsej 30 minuta, ndërsa në ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe në Tiranë ishte në stol. Edhe për të vlerësimi në bazë të aktivizimit duket jo i mjaftueshëm, duke i shtuar këtu edhe moshën 33-vjeçare që nuk është se e favorizon.
Frederik Veseli
Mbrojtësi që aktualisht luan në kampionatin turk me Karagümrük, me Kombëtaren është grumbulluar në 9 ndeshje dhe mban rekordin e ‘rezervës perfekte’, nuk është aktivizuar asnjë minutë në 8 ndeshjet zyrtare, vetëm 45 minuta në ndeshje miqësore me Bullgarinë.
Marash Kumbulla
I konsideruar një nga shtyllat e mbrojtjes kuqezi, mbrojtësi i Romës ka qenë pa fat në këtë vit. Luajti 90 minuta në ndeshjen ndaj Polonisë dhe që aty, dëmtimi që pësoi me Romën më 29 prill në ndeshjen kundër Milanit në kampionat e la jashtë deri pak ditë më parë që i është rikthyer stërvitjes.
Do t’i duhet fillimi i vitit të ardhshëm për të qenë i gatshëm që të luajë, por kjo pauzë prej dëmtimit dhe fakti që Mourinjo nuk e ka ndër të preferuarit, do t’ia bëjë disi të vështirë arritjen e formës optimale deri në fillimin e kampionatit europian, pasi nuk do të ketë 6 muaj në dispozicion si të tjerët, por ndoshta 4 muaj.
Këta janë lojtarët më të rrezikuar për momentin për të humbur ‘Euro 2024’, por do të ketë ende kohë.
Ndërkohë që mes të rinjve për t’iu bashkuar listës, veç Armando Brojës, mund të jenë edhe dy emra që luajnë për përfaqësuese të tjera aktualisht. Bëhet fjalë për mesfushorin sulmues pjesë e kombëtares së Italisë U-21, Luis Hasa. Me origjinë nga Rrogozhina, ai është pjesë e ekipit të të rinjve të Juventusit. Për të po vazhdohet të bëhet përpjekje e madhe që të kthehet në ngjyrat kuqezi dhe jo vetëm nga autoritetet fubollistike, por edhe politike.
Gjithashtu, e njëjta përpjekje duket se po bëhet për Brajan Grudën. Sulmuesi i Mainzit në Bundesligën gjermane është pjesë e kombëtares së Gjermanisë së moshave, aktualisht tek U-21. Edhe për të ka shpresa që të vendosë të luajë për kuqezinjtë, sigurisht nëse nuk e grumbullon ekipi i parë i Gjermanisë, ndërkohë që Silvinjo e pret krahëhapur.
Ndërkaq, në repartin e mbrojtjes pritet rikthimi i Adrian Bajramit, pjesë e Benfica B. 21-vjeçari është qendërmbrojtës dhe pas një dëmtimi relativisht të gjatë është rikthyer dhe po aktivizohet në ekipin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.