Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha për mediat se protesta e 6 dhjetorit do të jetë madhështore dhe se liderët e BE-së nuk do ta keqkuptojnë mesazhin e opozitës.
“Madhështore, madhështore! Jo, liderët europianë nuk janë si Edi Rama. Liderët europianë janë liderë të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të tyre, dhe ata e dinë se nga vota e lirë buron shteti ligjor burojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve”. I pyetur se ku do të protestojnë sa kohë që kordoni i Policisë do të vendoset nga Ura e Lanës, Berisha tha se gjithçka është në dore të protestuesve dhe organizatorëve. “Por ne bulevardin nuk e lëshojmë”, u përgjigj ai.
Më herët, dy përfaqësues të PD-së, Çlirim Gjata dhe Ervin Minarolli ishin në takim me drejtorin e policisë së Tiranës për të thënë se protesta e 6 dhjetorit nuk cenon sigurinë e vendit dhe se do e mbajnë në Bulevard.
“Pra siç e dini kemi kërkuar disa ditë më para një protestë të opozitës më 6 dhjetor në orën 12:00. Kjo kërkesë s’na është plotësuar për duan të na ndryshojnë vendndodhjen për arsye të sigurisë dhe për këtë diskutuam sot.
Argumenti i tyre ishte se kjo protestë cenon sigurinë por ne u thamë që do mbajmë protestë paqësore”.
A ra dakord policia?
“S’është pjesë për të rënë dakord policia, ne thjesht i njoftuam. E drejta e tubimit është e drejtë ligjore “, tha Gjata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.