Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar 59 persona për protestën e ditës së djeshme në kryeqytet për vrasjen e të Klodian Rashës nga efektivi i policisë.
Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht 116 të tjerë, me akuzën e ushtrimit të dhunës dhe plagosjes së punonjësit të Policisë, si dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
“Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën punonjësit e Policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private, arrestohen në flagrancë 59 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 116 shtetas të tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Duke qenë se në protestë kishte dhe pjesëmarrje të miturish, Policia e Shtetit u bën apel prindërve që të mos lejojnë minorenët të marrin pjesë në tubime apo të keqpërdoren nga më të rriturit, pasi sipas tyre pjesëmarrja vetëm rrezikon integritetin e tyre fizik dhe vështirëson punën e Policisë në menaxhimin e tubimit, për të parandaluar dhunën dhe shkatërrimin e pronës shtetërore dhe asaj private.
Ndër të tjera, Policia e Shtetit u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të distancohen nga këto veprime dhe të mos grumbullohen në tubime të paligjshme pasi ndryshe do përballen me forcën e ligjit.
Po ashtu policia ka edhe një mesazh për vrasjen e Klodian Rashës, ku thotë se është e keqardhur dhe se drejtësia duhet të bëhet deri në fund.
“Policia e Shtetit ndjehet thellësisht e keqardhur për aktin e patolerueshëm të efektivit të saj që hapi zjarr duke shkaktuar humbjen e jetës së një shtetasi. Efektivi është vënë menjëherë në duart e drejtësisë dhe drejtësia duhet të bëhet deri në fund. Por askush nuk mund ta njehsojë Policinë e Shtetit me një individ që kreu një akt të dënueshëm ligjërisht dhe askush nuk mund ta pengojë Policinë e Shtetit të kryejë detyrën e saj në mbrojtje të rendit publik, komuniteteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në një kohë që jemi në pandemi, policia u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




