Kosova

578 serbë dhanë dorëheqjen nga policia, Sveçla: Në veri të Kosovës ka elementë të Rusisë

Gazeta Si – Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në konferencën e dhënë së bashku me kryeministrin Albin Kurti, deklaroi se janë depozituar 578 dorëheqje të serbëve nga policia e veriut të Mitrovicës.

“Deri më tani në Policinë e Kosovës, në zonën e Drejtorisë rajonale në stacionet në veri, janë pranuar njoftimet për dorëheqje nga stafi me uniformë dhe stafi civil nga komuniteti serb. Zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga Policia e rendit publik, 107 nga Polica kufitare dhe 10 nga hetimet”, – deklaroi Sveçla.

Xhelal Sveçla. Gazeta Si, 7 nentor 2022

Sipas tij dorëheqjet vijnë si pasojë e kërcënimeve e shantazheve që ata zyrtarë policorë kanë marrë. “Tani, pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rriten gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik.

Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ruajtjes së rendit e qetësisë publike, si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar”, – theksoi ai më tej.

Ministri Sveçla deklaroi se ka të dhëna që Rusia është e përfshirë dhe është e interesuar që të shkaktojë trazira në veri të vendit. “Ne po përcjellim situatën. Jemi jashtëzakonisht aktivë në mbledhjen e të gjitha informatave. Ka edhe deklarime edhe indikacione që mund të ketë elemente të Rusisë, të cilat janë të interesuara të shkaktojnë trazira, eskalim të situatës atje.

Unë jam i bindur që institucionet e Kosovës, në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë atje, do të jenë të suksesshëm në parandalimin dhe neutralizimin e çfarëdo ndikimi negativ të kujtdo qoftë në raport me sigurinë”, – deklaroi Sveçla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë