Kosova

Më pak se 4% në votime, Vuçiç shfaqet krenar

Më pak se 4% në votime, Vuçiç shfaqet krenar: Serbët nuk i shërbejnë interesave të të tjerëve

Në orën 19:00 janë mbyllur votimet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Sipas të dhënave paraprake në zgjedhje kanë marrë pjesë më pak se 4 për qind e votuesve nga 45 mijë që ishin gjithsej.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues.
Në katër komunat në veri të Kosovës më shumë votues pati në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, ndërsa më pak se 2 për qind ishin në Leposaviç dhe në Zveçan.
Serbët iu përgjigjën thirrjes së Beogradit dhe Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Vetë Lista Serbe nuk pati kandidatë për këto katër komuna. Ndërkohë që nga 10 kandidatë gjithsej, vetëm 1 një ishte serbe Sllegjana Pantiç.
Bojkoti i zgjedhjeve ka gëzuar Beogradin zyrtar. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë sot se në katër komuna në veri të Kosovës deri më tani kanë dalë në zgjedhje vetëm pak serbë dhe se kjo tregon se serbët nuk do t’i shërbejnë interesave të të tjerëve.
“Sot po mbahen zgjedhjet për Gauleiterin okupues në veri të Kosovës, ku synojnë të vendosin pushtet me dy për qind. Ata kërkuan pëlqimin tonë për të gjitha këto. Me krenari mund të them se deri më tani kanë dalë vetëm pak serbë në të katër komunat së bashku. Serbët nuk do të dëgjojnë askënd tjetër dhe nuk do t’i shërbejnë interesave të të tjerëve. Ata duan paqe me të gjithë, të respektojnë të gjithë, por mbi të gjitha të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, theksoi ai në fjalën e tij në shënimin e Ditës së Përkujtimit të viktimave të krimeve në kampin e Jasenovaçit në Donja Gradina.
Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç, tha më 23 prill se fitues të zgjedhjeve në veri të Kosovës janë “populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi këto zgjedhje sepse nuk dëshiron okupimin”.
“Kjo është një disfatë për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe deklaroi se do t’i njohë rezultatet” e zgjedhjeve, tha Petkoviç në konferencën për media të mbajtur në Beograd.
Pavarësisht se pjesëmarrjes së ulët ekspertët shprehen se zgjedhjet janë legjitime. Ndërkohë që ky proces pritet të shoqërohet me debate mes Prishtinës dhe Beogradit, ku pikërisht me 3 maj do të ketë një takim mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel si pjesë e vijimit të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Votues sipas komunave

Leposaviç-141 votues apo 1.06 për qind

Zubin Potok- 385 votues apo 5.78 për qind

Zveçan-204 votues apo 2.92 për qind

Mitrovicë e Veriut- 837 votues apo 4.62 për qind


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë