Në një anketim të kryer nga Banka e Shqipërisë për përdorimin e terminologjisë “lek i ri – lek i vjetër”, rezultoi se më shumë se 54% e të intervistuarve instinktivisht e lexojnë apo e identifikojnë gabim vlerën e saj, duke i shtuar një 0 për ta kthyer në “lek të vjetër”.
Situatat apo ambientet në të cilat të anketuarit shprehen se flasin rëndom, në mbi 80% të rasteve, me “lek të vjetër”, janë kryesisht ambientet joformale apo familjare, dyqanet e vogla apo tregjet e fruta-perimeve, bisedat me familjarë, miq dhe kolegë; të ndjekur nga mjetet e transportit publik.
Nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut ndodh shumë më rrallë në institucione financiare (banka, jobanka etj) me vetëm 28.1%, apo në zyra të administratës publike (39.4%).
Sipas grupeve sociale dhe demografike, rezultatet e vrojtimit tregojnë se vlerën monetare në “lek të vjetër” e komunikojnë më shpesh meshkujt, personat e moshuar, individët me nivel më të ulët arsimor, individët joaktivë në tregun e punës, si dhe ata me nivel të ulët të të ardhurave familjare.
Për shkak të përdorimit të gabuar të terminologjisë në identifikimin e vlerës së monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese”As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!” e cila do të shtrihet në kohë dhe do të synojë të jetë sa më gjithpërfshirëse, duke prekur grupe të ndryshme interesi.
Guvernatori, Gent Sejko, tha sot se më një periudhë afatmesme dhe përmes kanaleve të shumëllojta, Banka e Shqipërisë synon të trokasë në dyert e të gjithë shqiptarëve për çrrënjosjen e termave “i ri” apo “i vjetër”, duke shmangur konfuzionin në komunikimin e çmimeve dhe në leximin e treguesve ekonomikë e financiarë.
“Komunikimi i gabuar ndodh më rrallë në institucione. Disa kategori flasin më shumë me ‘lek të vjetër’. Vlera e kartëmonedhës është ajo e shkruar mbi të. Të mos e çojmë këtë mesazh të gabuar te brezi i ri. Ta lëmë pas përgjithmonë terminologjinë e gabuar.
Duam ta zhdukim këtë koncept. Nuk është çështja vetëm në ngatërrimin e konceptit në përdorimin e parasë në aktivitetin tregtar të shitblerjes por edhe në analizat ekonomiko-financiare, shpeshherë gabohemi ose keqkuptohemi në tregues.
Fakti që ky keqpërdorim është trashëguar në të folurën e përditshme dhe i ka rezistuar kohës për mbi 55 vjet, dëshmon që përpjekjet sporadike dhe të izoluara të një institucioni të vetëm për ta korrigjuar fenomenin, nuk mjaftojnë. Nevojitet një angazhim i përbashkët dhe i koordinuar mes institucioneve qendrore të vendit, mediave dhe aktorëve të tjerë relevantë. Veçanërisht i rëndësishëm për suksesin e kësaj fushate është roli i medias, e cila me fuqinë e përçimit të mesazheve në publik, ka aftësinë të ndikojë mendësinë dhe normën e komunikimit të publikut të gjerë. Një tjetër aktor me rëndësi për krijimin dhe ngulitjen e një mendësie të re, ka edhe shkolla, e cila mund të ndikojë në ndërprerjen e një zinxhiri 55-vjeçar dhe mos përcjelljen e tij tek brezi i ri,” tha Sejko.
Sejko shtoi se për realizimin e kësaj fushate do të bëhen bashkëpunime me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të organizuar leksione për nxënësit dhe gjimnazistët pranë Muzeut të BSH-së, bashkëpunime me universitetet për leksione në auditore me ekonomistë dhe psikologë, bashkëpunime me Autoritetin e Mediave Autovizive për të ndërgjegjësuar sa më shumë mediat që të mos përdorin këtë terminologji, bashkëpunime me “Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë” dhe me institucionet e tjera kombëtare.
“Që të jetë sa më e suksesshme, kjo fushatë duhet të përqafohet nga të gjithë.”-tha Sejko
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



