Sociale

5000 student, 1 biblotekë dhe 10 llotosport

Janë më shumë se 5000 studentë të cilët kanë zgjedhur si rezidencë të tyre për vitin arsimor 2017-2018 Qytetin Studenti. Por edhe pse janë në një nga fazat më të rëndësishme të formimit të tyre, këta student janë të ekspozuar vazhdimisht ndaj lojërave të fatit.
Foto Ilustruese nga Google

Mjafton të bësh një xhiro me këmbë në Qytetin Studenti dhe do të numërosh 10 pika bastes sportive, të cilat janë shumë pranë godinave ku banojnë studentët.

Studentët shprehen se i frekuentojnë shpesh herë këto ambiente me shoqërinë e tyre për të ndjekur ndeshje futbolli, si dhe për të bërë pjesë e lojërave të fatit.

“Shkojmë shpesh herë në lloto. Ndjekim ndeshjet e futbollit me shokët dhe ndonjëherë luajmë edhe ndonjë skendinë”, tregojnë ata duke shtuar se luajnë me shuma të ndryshme duke filluar nga 100 – 500 lekë.

Edhe pse sipas ligjit për Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë, Nr.155/2015, i ndryshuar me ligjin nr. 140/2016, datë 22.12.2016, bizneset të cilat ushtojnë aktivitetin pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit paraunversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë, duhet të kenë një largësi prej 100 metrash në vijë ajrore nga këto institucione, kjo gjë në terren nuk shihet.

Distanca nga godina e studentëve më pak se 100 metra në vijë ajrore

Sipas po të njëjtit ligj, i cili ka dy vite që është ndryshuar, bizneset që kanë aktivitet në lojërat e fatit dhe ndodhen në më pak se 100 larg institucioneve të lartë përmendura do tu duhet të ndryshojnë vendndodhjen e tyre deri në 31 dhjetor 2018 ose do të  procedohen me masa administrative e deri në heqjen e licencës, studentët tregojnë se para pak kohësh në Qytet Studenti janë hapur dy sallone të reja bastes sportive.

Ornela Dume, Drejtoresha e Shërbimit Studentor në Qytet Studenti, e pyetur nga Si.al,  shprehet se institucioni që ajo drejton nuk ka asnjë lidhje me licensimin e Lojërave të Fatit në territorin e Qytetit Studenti, pasi këto të fundit e zhvillojnë aktivitetin e tyre në objekte private.

“Administrata e Qytetit Studenti u është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse për ekzistencën e Lojërave të Fatit brenda territorit të Q.S”, shprehet ajo por pa thënë se cilit institucion i është drejtuar administrata.

Territori i Qytetit Studenti

Si.al tentoi të kontaktonte edhe me Autoritetin e Monitorimit të Lojërave të fatit, por nuk mori  një përgjigje.

Por edhe pse Qyteti Studenti është rezidenca më e madhe studentore në vendin tonë e shumë kush mund të priste që të ofronte më shumë facilitate për studentët, e vetmja gjë që ofron është një bibliotekë në Qendrën Multifuksionale të Shërbimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë