Nga Gazeta ‘SI’ – NAREA, shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, i ka dërguar një letër presidentit të Shqipërisë, duke kërkuar dekretimin e ligjit per rivlerësimin e pasurive.
Në letër, shoqata thotë se vonesa e miratimit të këtij ligji po mban pezull tregun prej 18 muajsh tashmë dhe ka krijuar presione inflacioniste në treg.
Shoqata thotë se janë 500 mijë familje shqiptare që presin të rivlerësojnë pasurinë e tyre në vlerën e tregut si dhe dhjetëra mijëra familje të tjera që shpresojnë për një alternativë strehimi të përballueshëm.
“NAREA pavarësisht se ka shprehur në mënyrë konstante rezerva për masën e Tatimit 5% për banesat, pavarësisht se ka ngritur pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e Amortizimit 1%/vit vjetërsi, beson shumë se një vonesë e mëtejshme e Dekretimit të këtij ligji do të sjellë efekte shumë më negative, duke shtuar stresin në treg përtej presioneve inflacioniste, prezentë prej 18 muajsh tashmë”, thuhet në deklaratë.
Qeveria ka dhënë datën 1 janar si nisje të fushatës së Rivlerësimit, por ende nuk ka një miratim përfundimtar të ligjit, që sipas parashikimit do të zgjasë deri në shtator 2026.
Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




