Ngjarje

50 vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit, Rama: Ka nisur puna për krijimin e fjalorit, historisë dhe enciklopedisë së Shqipërisë

Gazeta Si- Në 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës po mbajnë një takim ku të ftuar janë akademikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Edi Rama dha edhe lajmin se ka nisur puna me rikrijimin e 3 librave shqiptarë, atë të fjalorit, të historisë së Shqipërisë dhe enciklopedisë së Shqipërisë.

“Gjuha shqipe është në një rrezik të madh për shkak të fjalorit që kemi sot në dispozicion dhe për shkak se në përditshmërinë tonë janë bërë pjesë edhe shkurtime si ‘klm, tdsh’ etj. Fjalori i shqipes zyrtare është vetëm gjysma e gjuhës së vërtetë”, tha Rama duke mos kursyer as batutat me Skënder Gjinushin.

“Akademia ka çelur siparin e rishkrimit të fjalorit dhe u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që të fillonte punën me themel”, tha Rama.

Ai gjithashtu shtoi se ka filluar puna edhe me shkrimin e historisë së Shqipërisë dhe të një encikopedie të Shqipërisë.

“Janë 3 libra themelorë që kanë munguar shumë e shumë vite dhe që i duhen këtij vendi”, u shpreh Rama.

Në fillim të fjalës së tij, Rama bëri një “vërejtje” për organizatorët e takimit.

Sapo nisi fjalën e tij, ai tha se nuk e kuptonte pse mes flamurit shqiptar, kosovar dhe atij të Maqedonisë së Veriut edhe flamuri i NATO-s.

“Tre flamujt të qëndrojnë bashkë si flamuj që mishërojnë ndër të tjera dhe në të njëjtën kohë, një pakt të vështirë siç është gjuha. Nga ana tjetër, i vetmi flamur që nuk kuptova pse është, është ai i NATO-s. Ua thashë edhe organizatorëve se deri tek flamuri i BE e kuptoj, por flamurin e NATO-s se kuptoj”, tha Rama.

Presidenti Bajram Begaj, në fjalën e tij në 50 vjetorin e Kongresit të drejtshkrimit tha se nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar, ndërsa shtoi se diaspora duhet mbështetur me politika specifike.

“Ndër shekuj  gjuha jonë, shqipja që Fishta e quante gjuhë hyjnore, gjuhë të perëndisë, është shpirti dhe identiteti ynë kombëtar, është amaneti i të parëve.

50-vjet më parë, Kongresi i Drejtshkrimit (1972), një ngjarje kulmore kjo në historinë tonë kombëtare, vendosi për platformën e gjuhës së njësuar shqipe. Ky kongres ishte pjesë e një rrugëtimi plot sfida të kombit tonë prej Kongresit të Manastirit (1908), i cili hodhi themelet për unifikimin e alfabetit, duke mënjanuar alfabetet e tjera, Kongresit të Elbasanit (1909), që shtroi rrugën e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Manastirit me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për arsimim të gjerë publik, si dhe vendimeve historike të Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila për herë të parë hodhi hapa të rëndësishëm drejt një politike gjuhësore unifikuese në shërbim të gjuhës së njësuar, si kërkesë që përligjte dhe e bënte funksional unitetin politik të kombit.

Pas pak ditësh, ne do të kujtojmë 114-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe Ditën e Alfabetit Shqip. Një ngjarje madhore për historinë e gjuhës dhe kombit tonë. Atdhetarë e dijetarë të ndritur, nga gjithë Shqipëria e diaspora, u ngritën mbi qasjet vetjake dhe punuan për atë që ata e quajtën “qëllim të shenjtë”: Alfabetin e Përbashkët”, tha Begaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë