Futboll

50 ndeshje dhe 0 gola me goditje dënimi, pa Mesin nuk shënon askush te Barcelona

Gazeta Si – Barcelona hyn në histori nga porta e gabuar: 50 ndeshje pa mundur të shënojë një gol me goditje dënimi. Statistikat e publikuara nga “AS” evidentojnë faktin se sa ka ndryshuar kohët e fundit ekipi katalanas.

Goli i fundit i realizuar me goditje dënimi i takon Lionel Mesit në një ndeshje ndaj Valencias. Më parë, sa herë arbitri sinjalizonte një faull afër zonës, në “Camp Nou’ prisnin golin. Për portierin ishin momente frike, sepse gjuanin Mesi, Nejmar dhe Suarez. Më parë kanë qenë Shuster, Maradona, Koeman, Stoiçkov, Rivaldo dhe Ronaldinjo. Një skuadër specialistësh për gjuajtje të lira, por tani është ndryshe.

Ksavi Hernandez, trajneri i Barcelones. Gazeta Si, 1 maj 2022

Për çdo goditje dënimi tani është vështirë të kuptosh kush do ta ekzekutojë. Në grumbullin e lojtarëve qëndrojnë Dembele, Dani Alvesh, Zhordi Alba, Pike, Depai, por asnjëri specialist. Rezultatet tregojnë qartë vështirësinë për këtë pjesë. Tani edhe kundërshtarët bëjnë më shumë faulle takikë afër zonës së tyre, pasi ka më pak rrezik.

Ksavi mund të jetë pak fajtor për këtë rekord negativ. Ai kërkon zgjidhje, por mungojnë specialistët. Ferran, Aubamejang nuk gjuajnë goditje dënimi, ashtu si dhe Buskets dhe De Jong. Ksavi po punon me Pedrin dhe Gavin për t’i përmirësuar në këtë drejtim. Jo rastësisht që shumë gola kanë ardhur në mënyrë indirekte nga goditjet standard, me Pike, Araujo dhe Luk de Jong.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë