“Dhurata” e Krishtlindjes për Qeverinë shqiptare ka mbërritur nga Xhedah e Arabisë Saudite, ku Banka Islamike për Zhvillim ka miratuar një kredi prej 50 milionë eurosh për ndërtimin e aksit problematik rrugor, Qukës-Qafë Plloçë.
Kredia për Shqipërinë është miratuar më 18 dhjetor nga bordi drejtues i bankës, që ka kaluar në total 1.7 miliard dollarë fonde në formën e kredive për një sërë vendesh, kryesisht afrikane.
Shuma prej 50 milionë dollarësh tashmë do t’i shtohet rreth 187 mln eurove të tjera të shpenzuara deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, në aksin rreth 43 kilometra të gjatë.
Aksi konsiderohet një nga gropat e thella të buxhetit të shtetit ndër vite. E nisur që në vitin 2011, rruga që shkurton ndjeshëm distancën Tiranë-Korçë parashikohej që të përmbyllej në vitin 2019, por thuajse tre vite më vonë ajo mbetet ende në fazë ndërtimi. Kryeministri Edi Rama ka fajësuar për vonesat projektimin e keq të këtij aksi.
Në tetor ai postoi një video në rrjetet sociale ku tregonte se po puna për përfundimin e këtij aksi po vazhdon me ritme të shpejta. Projekti fillestar për ndërtimin e kësaj rruge e llogariste atë në rreth 120 milionë euro. Pas ndërhyrjeve dhe ndryshimeve të projektit, shifra u rrit me mbi 60 për qind, duke shkuar në 187 mln euro.
Në gusht të 2020, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se për përfundimin e rrugës do të duheshin edhe të paktën 25 milionë euro shtesë financimi për shkak të rrëshqitjeve në shpatin e kilometrit të 8-të.
Me kredinë e marrë nga Banka Islamike për Zhvillim, Qeveria synon që ta përmbyllë këtë projekt brenda vitit 2022, plot 11 vite nga nisja e punimeve për këtë aks.
Rruga pritet që t’i japë një tjetër zhvillim qytetit dhe zonave përreth Korçës, por janë ngritur shqetësime se me përmbylljen e saj do të mënjanohet qyteti i Pogradecit dhe potenciali turistik i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



