Shendet

50 mijë gra të depistuara për tumorin e qafës së mitrës, Ylli: 6% pozitive me virusin HPV

Nga Gazeta Si – Në Shqipëri është kryer depistimi për identifikimin dhe parandalimin e tumorit të qafës së mitrës ku mbi 50 mijë gra u përfshinë në këtë program.

Burime nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmojnë për Gazetasi.al se programi i depistimit i cili u krye në periudhën shtator 2019-nëntor 2023, zbuloi 6% të rasteve me infeksionin HPV (papiloma humane) e cila është shkaktare e tumorit të qafës së mitrës.

“Më shumë se 50 mijë gra u depistuan për kancerin e qafës së mitrës nga shtatori 2019 në nëntor 2023. 6% rezultuan pozitive me HPV dhe rreth 4% e pozitivëve në faza parakanceroze”, tha eksperti i shëndetit publik Alban Ylli.

Ekspert i shëndetit publik Alban Ylli. Gazeta Si, janar, 2024.

Sipas tij, këto shifra janë normale, ku çdo vit të paktën 20 gra 40-50 vjeç janë me ndryshime neoplazike. Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet shkak i rëndësishëm i vdekjes nga kanceri te gratë në mbarë botën.

Në Shqipëri raportohen rreth 100 raste të reja çdo vit nga Shërbimi i Onkologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Më tepër se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë.

Tashmë është e njohur se kanceri i qafës së mitrës së bashku me kancerin e gjirit janë bërë kërcënim kryesor i shëndetit të grave në Shqipëri.

Depistimi për kancerin e qafës së mitrës konsiderohet prioritet, por ende një pjesë e grave paraqiten në faza shumë të vonshme kur është vështirë të trajtohen.

Shkaktari kryesor i gjendjes parakanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës është infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane HPV (Human Papiloma Virus).

Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse:

-Ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale

-Ka partnerë seksual të shumtë

-Ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale

-Ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm

-Përdor në mënyrë abuzive duhanin

-Ka imunitet të ulët (p.sh. individë të infektuar me HIV janë në rrezik më të lartë për t’u infektuar me HPV, dhe mund të infektohen nga lloje të ndryshme të HPV-së)

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një sërë veprimesh për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Veprimet e rekomanduara përfshijnë që nga komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit dhe vaksinimit.

Tashmë është e provuar se programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Disa vende kanë filluar të vaksinojnë djemtë si masë parandaluese e kancerit gjenital, duke qenë se një nga dy vaksinat parandalon edhe lythat gjenitale në meshkuj dhe femra.

Prej viti 2007, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit, javën e fundit të janarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë