Nga Gazeta Si- “Jam zgjuar që në orën 5 të mëngjesit për të zënë radhë tek posta e Brrylit. Kemi që nga data 27 që vijmë përditë e na thonë nesër. Këtu sot janë 300 veta, nuk e dimë kur do i marrim pagesat”, kjo është një nga ankesat që dëgjon pothuajse nga të gjithë personat që presin me ditë në radhë që të marrin pagesat e invaliditetit dhe ndihmën ekonomike. Pritja e çdo muaji tashmë bëhet edhe më e rëndë me temperaturat e larta të këtyre ditëve.
“Kjo është e paimagjinueshme. Të na lënë ne shtresat më vulnerabël në radhë dhe në temperatura të larta”, thotë ajo.
Sipas informacionit që kanë mësuar personat që presin në radhë për pagesat, shkak i vonesave është sistemi që u hakërua në bashkinë e Tiranës disa ditë më parë.
“As më duhet fare se çfarë ka ndodhur. Sot që flasim, nuk kam para të paguaj ilaçet e muajit, paketën higjieno-sanitare. Jam paraplegjike dhe pa këtë pagesë jam e vdekur. S’më ndihmon askush”, thotë Shpresa, e cila është dhe anëtare e shoqatës së personave para dhe tetra-plegjikë.
Nga ana e njësive administrative, të pyetura nga Gazetasi.al, thonë se si çdo muaj, i kanë dërguar bashkisë së Tiranës listat emërore por akoma nuk ka ardhur fondi i shpërndarjes.
Askush nuk di të thotë një datë fikse, por një gjë është e sigurt, familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar do të presin në radhë çdo ditë, me gjithë temperaturat e larta, sepse këto pagesa janë e vetmja e ardhur e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



