“Në rastet e koronavirusit është e mundur për ta riluajtur një ndeshje 48 orë më pas. Me sa duket, jo për një arrest kardiak. Mendoj se është e gabuar. Nuk gjej një mënyrë për të shpjeguar këto situata dhe protokollin. Ndonjëherë duhet të jetë dhembshuria ajo që duhet të na udhëheqë”, – ka theksuar trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, duke iu rikthyer çështjes së vazhdimit të ndeshjes me Finlandën, ku të tijtë humbën 0-1.
Pas asaj që i ndodhi Kristian Eriksenit, i cili rrezikoi seriozisht jetën për shkak të një arresti kardiak, ka pasur interpretime të ndryshme për vendimin e rifillimit të ndeshjes pas gati dy orësh. Në fillim u tha se ishte Eriksen që u kërkoi shokëve të luanin, më pas se këtë gjë e kërkoi UEFA, përndryshe danezët do ta humbnin ndeshjen në tavolinë 3-0. Dhe në fund u fol se nuk ishte presion i UEFA-s, por diçka e parashikuar në protokoll.
Trajneri Hjulmand nuk i ka kursyer kritikat ndaj UEFA-s për faktin që nuk i dha Danimarkës mundësinë për ta luajtur me Finlandën një apo dy ditë më pas. Sipas trajnerit danez, për futbollistët e tij ishte ekstremisht e vështirë të luanin pas asaj ngjarjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.