Nga Gazeta ‘SI’ – Në fund të marsit 2025 kanë qarkulluar 429 mld lekë jashtë sistemit bankar vendas, raporton Banka e Shqipërisë.
Sipas të dhënave, kjo është një vlerë rekord e këtij treguesi, që është rritur me 10% nga marsi i vitit të shkuar. Ndërkohë, vetëm në një muaj paraja e thatë në qarkullim është rritur me 7 mld lekë.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në mars 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 4 mld lekë nga shkurti dhe raportohet 865 mld lekë.
Me rritje raportohet edhe treguesi i parasë së gjerë, ose siç njihet ndryshe Agregati M3, që përfshin paratë në qarkullim jashtë sistemit të korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve, plus të gjitha depozitat e llogaritë në valutë të jorezidentëve. Për muajin janar, paraja e gjerë ka rënë me 2 mld lekë pasi preku vlerën më të lartë historike. Për marsin regjistrohet 1.810 trilionë lekë, nga 1.812 trilionë lekë që ishte në muajin shkurt.
Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 4 miliardë lekë brenda një muaji duke kaluar vlerën e 1.07 trilion lekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.