Motosport

41 fitore në moshën 25-vjeçare, Maks Vershtapen po shkruan librin e rekordeve

Gazeta Si – Në Austri, vendin e Red Bull-it, për të cilin garon, po shfaqet klima e festës që e shoqëron prej muajsh aventurën e tij në Formula 1. Nëse bën atë që tashmë është shndërruar në zakon, Maks Vershtapen do të regjistronte fitoren numër 22 në 31 garat e fundit.

Një numër që të impresionon, çertifikim i një dominimi që vështirësi se mund të vihet në diskutim. Meritë e një makine të jashtëzakonshme, por fryt edhe i një sintonie unike mes pilotit dhe skuadrës, si dhe e një momenti magjik, që kur ndodh në një karrierë hap skenare që shkojnë përtej statistikave.

Maks Vershtapen feston titullin e dyte kampion bote. Gazeta Si, 29 qershor 2023

Maks Vershtapen ecën me shpejtësi të madhe. Në pistë dhe në histori. Dhe gjithçka ndodh pa mbushur ende 26 vjeç, si askush më parë në F.1. Në moshën e tij, Alain Prost, objektivi i radhës i Maksit në kërkim të lavdisë si numër suksesesh, nuk kishte fituar asnjë nga 51 garat që kishte bërë. Airton Sena, që është konsideruar si një nga fenomenët e automobilizmit të çdo epoke, në mos më i madhi, kishte vetëm 2 fitore në këtë moshë.

Sigurisht, kohët ndryshojnë. Më parë në F.1 shkohej në një moshë më të madhe në krahasim me sot, kur pilotët janë edhe adoleshentë. Prost debutimin e ka bërë pikërisht në moshën aktuale të Vershtapen, i cili ka 9 sezone, duke përfshirë edhe këtë aktual. Sena u shfaq për herë të parë në F.1 4 ditë pasi kishte mbushur 24 vjeç.

Nëse shohim statistikat, nuk mund të mohojmë se kampioni që po shkon drejt titullit të 3-të, po shkruan librin e rekordeve. Për 10 fitoret e para Vershtapen është pas Ljuis Hemilton dhe Sebastian Fetel (23 vjeç), por nga suksesi numër 20 (24 vjeç) e më pas ai ecën me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Në 2.5 sezonet e fundit ka fituar 21 gara nga 30 të zhvilluara. Më mirë se rivalët e mëdhenj, Hemilton me 103 fitore, Mikael Shumaker me 91, Fetel 53 dhe Prost 51.

Të gjithë këta kanë arritur në kuotën e 41 fitoreve në moshë më të madhe se Maks Vershtapen. Më afër është Fetel, që e ka bërë këtë gjë në moshën 27 vjeç, kurse Hemiltonit i është dashur të presë deri 30 vjeç, Shumakerit 31, Senës 33 dhe Prostit 35.

Nëse Red Bull-i mban këtë ritëm dhe holandezi këtë motiv, mund të arrijë në shifrat e Hemilton rreth 30 vjeç. Duhet parë edhe ana tjetër e medaljes, që Vershtapen është futur në F.1 shumë më parë se rivalët e tij, duke përballuar presionin sapo ishte bërë maxhoren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë