Politike

40 vota kundër dhe 75 pro, miratohet në parim projektbuxheti për 2025-n. Tabaku: Qoftë buxheti i fundit i socialistëve!

Nga Gazeta 'SI' - Pas dy ditësh debate në seancë plenare, është miratuar në parim projektbuxheti i vitit 2025, me 75 vota pro dhe 40 kundër, nga ana e opozitës.

Buxheti i vitit të ardhshëm është kundërshtuar fort nga demokratët, pasi sipas tyre nuk përmbush nevojat e qytetarëve, por i shërben vetëm projekteve të qeverisë.

Pak minuta para se të miratohej, deputetja demokrate Jorida Tabaku, uroi që “ky të jetë buxheti i fundit i socialistëve”.

 “Jam e sigurt që atë që nuk e sollën në 11 vite nuk kanë për ta sjellë në vitin e 12 . Pensionistët kanë nevojë për një sistem të ri pensionesh pa lëmoshë sa herë që ka zgjedhje. Vrasja e një të mituri 14-vjeçar në pragun e shkollës është tragjedi që nuk mund të kalojë pa reflektim të thellë.  Kur një qeveri drejton përmes shembullit dhe kur shembulli që jep është dhuna verbale janë fyerjet, gjuha e egër që nxit përçarje, atëherë çfarë mund të presim nga qeveria. Si mund të kërkojmë nga të rinjtë që t’i zgjedhin konfliktet me dialog kur drejtuesit vetë nxisin me gjuhën e tyre. Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu dhe ky është momenti ku duhet reflektojmë për një Shqipëri që ofron siguri, mirëqenie , një model drejtimi që frymëzon shpresë dhe jo dëshpërim. Shqiptarët s’janë të njëjtë me ata të viti 2013 kur socialistët morën pushtetin. Sot vendi është boshatisur, 700 mijë shqiptarë kanë emigruara. Duke uruar që ky të jetë buxheti i fundit i socialistëve…jam e sigurt që atë që nuk e sollën në 11 vite nuk kanë për ta sjellë në vitin e 12”, përfundoi Tabaku.

Socialisti Niko Peleshi tha gjatë seancës se edhe pse nuk mund të pranojë kundërshtitë e opozitës, është dakord për rishikimin e skemës së pensioneve.

Ministri tha se retorika e opozitës e cila kundërshton buxhetin është pa ngjyra, pa vizion dhe pa përmbajtje.

“Ne jemi të vetëdijshëm  që opozita nuk është këtu për të mbështetur buxhetin, por nxirja e gjithçkaje,  mohimi i treguesve buxhetor dhe ekonomik edhe kur janë të certifikuar nga institucione ndërkombëtare me të cilat punojmë nuk është opozitë. Ka gjithmonë vend për të bërë më mirë , ndaj dhe opozita e ka shumë të gjerë fushën e alternativave të saj. Unë dëgjova vetëm 1 deputetë të opozitës sot i cili ofroi idenë e vetë për skemën e pensioneve, e cila për mua duhet marrë në konsideratë”, u shpreh Peleshi.

Po ashtu gjatë ditës së sotme, jashtë ambienteve të Parlamentit, për rreth 2 orë ditën e sotme, një grup qytetarësh, mbështetës të opozitës, protestuan kundër miratimit të buxhetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë