Ngjarje

40 emigrantë do nisen drejt Gjadrit! Mediat italiane: Ka mungesë transparence në lidhje me kombësitë dhe kohën e transferimit

Mediat italiane raportojnë se nesër (11 prill) do të nisen nga Italia, drejt kampit të Gjadrit në Lezhë, 40 emigrantë.

Emigrantët do të nisen nga kampi në Brindizi dhe do të hipin në anijen Libra. Kjo është hera e katërt që qeveria italiane po tenton të transferojë emigrantët në Gjadër.

“Këtë herë, megjithatë, nuk duket se do të ketë ndonjë surprizë të veçantë falë dekretit të 28 marsit të kaluar që lejon transferimin jo vetëm të azilkërkuesve, por edhe të emigrantëve të parregullt, të cilëve komisioneri i policisë u ka dorëzuar dekretin e dëbimit, ndërsa një gjyqtar ka vërtetuar qëndrimin e tyre në një kamp shqiptar“, shkruajnë mediat në Itali.

“Ne gjejmë një paqartësi të madhe,” tha Francesco Ferri, një aktivist i ActionAid dhe anëtar i tryezës për Azilin dhe Imigracionin që vizitoi qendrën sot.

“Kemi përshtypjen se është rritur edhe më tej niveli i paqartësisë, shenjë e vështirësisë nga ana e qeverisë”, tha ai.

Të njëjtin mendim ndau edhe deputetja e Partisë Demokratike, Rachele Scarpa, e cila drejtoi delegacionin në vizitën në objekt.

“Nuk e dimë se kur do të mbërrijnë këta persona, nga cili kamp vijnë, apo nga çfarë kombësie janë. E vetmja gjë që kemi arritur të marrim është se janë 40 persona, siç ka bërë të ditur vetë Piantedosi. Ka një klimë të mungesës së transparencës që duhet të na bëjë të reflektojmë“, u shpreh Rachele Scarpa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë