Pagesat informale, fillimi i punës pa kontratë pune të shkruar dhe mungesa e sigurisë në punë janë disa nga problemet me të cilat përballen pjesa më e madhe e punëtorëve në Shqipëri.
Në vend, sipas të dhënave nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë punësimi informal është tepër shqetësues në sektorin privat dhe rreth 40 përqind e forcës punëtore punon në informalitet.
Periudha e pandemisë ka sjellë një thellim të këtij problemi sidomos në disa sektorë, si ai i shërbimit dhe punët sezonale.
Kjo gjë pohohet edhe nga Inspektoriati i Punës.

“Pagat informale dhe fillimi i një pune pa kontratë të shkruar, ku nuk specifikohet dhe qartësohen qartë oraret, pagesat, rregullat dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve janë disa prej probematikave që hasen më shpesh.
Sektorët më të prekur janë kryesisht ata të shërbimeve dhe punët sezonale. Për shkak të pandemisë ka filluar shërbimi ‘deliver’ i ushqimit dhe shitjeve online dhe po përballemi me fluks ankesash.”, – shprehet Irida Qosja, drejtore e Drejtorisë së Inpektimit të Punës në Inspektoriatin e Punës.
Ajo shton se edhe në fushën e tregtisë, bizneset private shpesh nuk paguajnë punëtorët për punën e kryer përtej orarit të punës, gjë që shpesh sjell edhe aksidente në punë.
Por cilat janë problemet më kryesore përsa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë?
Sipas kreut të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, përsa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë ka shumë probleme dhe ajo që është kryesore është “moszbatimi i ligjit, duke filluar nga mosfunksionimi i Komitetit ndërministor të Sigurisë dhe shëndetit në punë, i cili është një komitet, që rakordon gjithë aktivitetin në lidhje me sigurinë dhe i jep rekomandime kryeministrit dhe qeverisë për aktet nënligjore.”
Ndërsa Qosja bën me dije, se përgjatë vitit të fundit ka pasur rritje të aksidenteve në sektorin e shërbimit, disa prej të cilëve edhe me pasojë vdekjen.
“Aksidentet më të mëdha ndodhin në sektorin e minierave, ndërtimit dhe së fundi edhe në sektorin e shërbimit, kryesisht motoristët, që bëjnë shpërndarje të ushqimeve”, shprehet Qosja.
“Problem është mosraportimi i të gjithë rasteve të lëndimeve dhe aksidenteve në punë”, – pohon Qosja.
Ndërsa sipas aktivistes Liri Kuçi, Inspektoriati Shtetëror i Punës ka dështuar të gjurmojë dhe adresojë problematikat e sektorëve më të rrezikuar, si: ndërtimtaria dhe ndërmarrjet e prodhimit, të cilat kanë regjistruar numrin më të lartë të aksidentimeve në punë.
“Vitin e shkuar, vetë gjatë 6 muajve të parë ka pasur 78 aksidentime në punë, ku ndër to 20 kanë ndodhur në ndërmarrjet prodhuese, pjesa tjetër në miniera e ndërtimtari.”, thotë ajo për gazetën “Si”.
Mosfuksionimi sindikal

“Përsa i përket lëvizjes sindikale kryesore është mungesa e ligit për organizim sindikal. Sindikata të vogla thurrin ëndrra të mëdha, që nuk i realizojnë dhe sindikata të mëdha që nuk realizojnë as punë të vogla. Edhe ne dy sindikata kryesore ende nuk kemi gjetur komunikimin për të paraqitur një ligj.”, pohon kreu i KSSH, Nikollaj.
Ndërsa aktivistja Liri Kuçi, thotw se mund të flasim tashmë për sindikata të reja e demokratike në disa sektorë, por të cilat po hasin vështirësi si pasojë, “jo vetëm e kapjes së sindikatave të vjetra dhe lidhjet okulte me pushtetin dhe pronarët shfrytëzues, por edhe strukturave shtetërore, të cilat nuk janë të pranishme sipas nevojave dhe problematikave që adresojnë këto sindikata të reja.”

“Pushimi nga puna, është dënimi më i zakonshëm për guximin e organizimit në vendin e punës. Prandaj, organizimi e rezistenca kundrejt padrejtësive në botën e punës thërret në domosdoshmëri ndërgjegjësimin për të drejtat e garantuara me ligj e kod pune. Rrezikut të legjitimuar në këto nivele, mund t’i bëhet ballë vetëm duke u vetëdijësuar për rolin dhe fuqinë që mbart organizimi në vendin e punës.”, nënvizon Kuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.