Nga Gazeta Si- Rreth 40 për qind e fermerëve shqiptarë përdorin antimikrobikë tek kafshët e tyre.
Në këtë përfundim ka arritur FAO, Organizata Botërore e Ushqimit në një vrojtim të bërë në rreth 530 ferma të prodhimit blegtoral.
Në raport shkruhet se përdorimi i antibiotikëve ishte më i lartë në fermat e mëdha dhe më i ulët tek fermat shtëpiake, ku vetëm 23 për qind e fermave shtëpiake përdornin antibiotikë. Gjithashtu, në anketë thuhet se dhënia e antibiotikut nuk ishte rruga e parë që ndiqnin fermerët në rast sëmundje pasi fillimisht ato lajmëronin një veteriner dhe më pas izolonin kafshën e sëmurë.
Në vrojtimin e bërë në Shqipëri, FAO shkruan se shumica e fermerëve në blegtori nuk kishin arsimin apo trajnimin e duhur mbi shëndetin e kafshëve apo blegtorisë,
Në vendimin se kur dhe çfarë lloj antibiotiku duhet ti jepet kafshës së sëmurë, në vrojtim thuhet se kryesisht fermerët pyesnin veterinerë privatë por edhe vendosnin vetë, pavarësisht se nuk kanë arsimin dhe informacionin e duhur për këtë fushë.
Ndërkohë, vetëm gjysma e veterinerëve mbanin shënim të dhëna për barnat e blera dhe vetëm rreth 40 për qind mbanin shënime për vizitat dhe trajtimet veterinare.
Për Ervin Resulin, ekspert blegtorie, ky raport mbi përdorimin e antibiotikëve në blegtori tregon qartë se “institucionet e varësisë janë të pa fuqishme të kryejnë funksion mbikëqyrës”.
Sipas tij, është alarmante që antibiotikët përdoren pa recetë, fermerët nuk mbajnë regjistra për mjekimet dhe që mungon kontrolli shtetëror.
“Kjo situatë është alarmante për shëndetin e konsumatorit dhe për eksportet shqiptare”, thotë Resuli.
Antibiotikët vrasin bakteret e dëmshme ose kufizojnë rritjen e tyre për të ndaluar përhapjen e sëmundjeve dhe për të mbrojtur pjesën tjetër të tufës. Rrjedhimisht, antibiotikët promovojnë shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, kontribuojnë në sigurinë e ushqimit, parandalojnë shpërthimet e sëmundjeve dhe shpëtojnë jetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.