Në një ditë të ftohtë në Uashington, katër vjet më parë, e mërkurë, Donald Trump bëri betimin si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe mbajti një fjalim për ta bërë Amerikën madhështore sërish. Por sot që Trump po dorëzon çelësat e Shtëpisë së Bardhë, pjesë më e madhe e amerikanëve janë të bindur se presidenti po e lë Amerikën më të përçarë dhe më të dobët nga sa e gjeti.
Ai arriti të sillte ndryshime të mëdha, por në mënyrën që premtoi. Trump u zotua t'i japë fund varfërisë, të zëvendësojë fabrikat e ndryshkura, shkollat e prishura dhe lagjet e izoluara nga bandat kriminale, por misioni i tij për rritjen ekonomike u ndërpre nga kriza më e rëndë pas Luftës së Dytë Botërore: pandemia e koronavirusit. Gjatë presidencës së tij Amerika u përball me 400,000 vdekje nga koronavirusi dhe testin më të madh për demokracinë amerikane që nga lufta civile.
"Ky vit për Amerikën nuk solli vetëm humbjen e jetëve njerëzore", tha Moe Vela, një ish-zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. "Amerikanët u përballën po ashtu me një krizë mendore, shpirtërore dhe emocionale”, theksoi ajo.
Trump bëri fushatë për president si një agjent ndryshimesh, por miliona e konsideruan atë si agjent kaosi. Përplasjet me aleatët europianë, vala e dorëheqjeve me Shtëpinë e Bardhë dhe sfidimi i normave demokratike arritën kulmin pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale dhe kryengritjes në Capitol Hill. Brezat e ardhshëm amerikanë do ta kujtojnë Trump si presidentin e kaosit dhe një ndër figurat më kontradiktore të historisë amerikane, po aq i dashur sa edhe i urryer.
Gjithçka filloi me seriozitet në qershor të vitit 2015 kur manjati amerikan mblodhi mediat në Trump Tower në New York dhe njoftoi se po kandionte për president. Motot e tij ishin dy: "Amerika e para" dhe ndërtimin e një muri në kufi. Duke shfrytëzuar ankesat e bardha mbi rënien ekonomike dhe rritjen e kriminalitetit për shkak të emigracionit nga Meksika, Trump u zgjodh si i nominari i Republikanëve. Ai humbi votën popullore ndaj Hillary Clinton po arriti fitoren në kolegjin elektoral.
Trump ishte personi i parë i zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë pa përvojë të mëparshme politike ose ushtarake, ai përfaqësoi revoltën e popullit amerikan me sistemin dhe estabilishmentin .
Shpresat që Trump do të bëhej më i moderuar pasi të merrte detyrën u shuan nga një fjalim në 20 Janar 2017, ku premtoi një Amerikë madhështore që do të dilte nga Marrëveshja e klimës së Parisit dhe mund të tërhiqej nga NATO, e cila sipas presidentit nuk ishte asgjë tjetër veçse një aleancë e vjetruar. Një ditë pas inaugurimit, sekretari i shtypit, Sean Spicer, tha se mediat amerikane kishin mashtruar kombin për madhësinë e turmës që ishte mbledhur në përurimin e tij. Ky moment ishte shpërthimi i një pandemie dezinformuese që u përhap më pas nga Amerika në të gjithë globin.
Trump u përpoq të qeveriste nga mediat sociale, duke refuzuar të lexonte përmbledhjet e sigurisë kombëtare dhe duke marrë për bazë vetëm këshillat e rrethit të tij të besuar. Llogaria e tij Twitter ishte dritarja më e madhe e informimit për politikat e Shtëpisë së Bardhë.
Ai sulmoi burokracinë qeveritare, u përpoq të zhbënte trashëgiminë e Barak Obamës dhe përçmoi median duke e cilësuar si burim të "lajme të rreme" dhe "armik të popullit amerikan".
Vetëm në vitin e tij të parë në detyrë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të parandaluar hyrjen e njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane, shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey dhe zyrtarë të tjerë, besnikëria e të cilëve ishte më pak se absolute, njoftoi tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja e Parisit dhe mbështeti nacionalistët e bardhë në Virginia.
Ndërsa mandati i tij vazhdoi, Trump mbikëqyri një politikë të "tolerancës zero" në kufi që ndau prindërit emigrantë nga fëmijët dhe hoqi rregulloret mjedisore. Ai inkurajoi lëvizjen konspirative QAnon, të përshkruar si një kërcënim terrorist nga FBI.
Jim Mattis, një gjeneral me katër yje, i cili shërbeu si sekretari i tij i parë i mbrojtjes, tha vitin e kaluar se Donald Trump është presidenti i parë që nuk përpiqej të bashkonte popullin amerikan.
Megjithatë, për tre vjet, rizgjedhja e tij dukej e mundur. Një hetim për lidhjet midis ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe Trump çoi në disa dënime kriminale, por u mbyll pa shumë dëme ndaj presidencës së tij. Dhoma e Përfaqësuesve nisi më pas procesin e parë për shkarkimin e tij për presion ndaj Ukrainës për favore politike, por u Trump u shpëtua nga Senati.
Trump gëzoi republikanët duke emëruar tre gjyqtarë të gjykatave supreme dhe më shumë se 220 gjyqtarë federalë, duke i dhënë gjyqësorit një prirje të qëndrueshme konservatore dhe duke miratuar reformat më të mëdha të taksave për një brez. Ai investoi në ushtri dhe solli trupat amerikane në shtëpi, negocioi një marrëveshje të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën dhe ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjeve midis aleatit të ngushtë, Izraelit dhe tre shteteve arabe. Ai ndërmori reforma ekonomike që nxorën miliona njerëz nga varfëria dhe mbështeti klasën e mesme si asnjë president më parë. Këto merita, do t’i kishin mundësuar me siguri rizgjedhjen.
Net Gingrich, ish-senator republikan, tha se Trump ndryshoi rendin e vjetër. “Ndryshoi rregulloret, rindërtoi ushtrinë amerikane, ndryshoi politikën e jashtme amerikane mbi interesat amerikane, rinegocioi politikën tregtare rreth vendeve të punës në Amerikë dhe në të njëjtën kohë po gjeneronte rritje ekonomike, duke çuar në papunësinë më të ulët në historinë amerikane. Po të mos kishte qene për virusin kinez, presidenca e tij do të ishte jashtëzakonisht e suksesshme”, shprehet ai.
Por koronavirusi ndryshoi gjithçka. Që nga fillimi, Trump e minimizoi kërcënimin qëllimisht dhe nuk arriti të ndërtojë një strategji kombëtare për testimin në masë. Ai la mënjanë zyrtarët e shëndetit publik duke refuzuar të mbështeste mbajtjen e maskave dhe duke sugjeruar trajtime të paprovuara, duke përfshirë pirjen e dezinfektuesve. Ai nuk ndryshoi qëndrim as kur u infektua vetë dhe kaloi disa ditë të vështira në spital. Vaksinat erdhën me shpejtësi historike, por shpërndarja e tyre ngeci dhe u përshkrua nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden si një "dështim i jashtëzakonshëm".
Por për çdo veprim, ekziston një reagim i barabartë dhe i kundërt. Epoka e Trump ishte gjithashtu epoka e #MeToo dhe Black Lives Matter. Përurimi i tij u pasua menjëherë nga marshimet e grave duke përfshirë një rekord prej milion njerëzish. "Rezistenca" ndaj tij u mbajt në këmbë nga aktivistë, gazetarë, politikanë, satirikë, vëzhgues, sinjalizues dhe votues, të cilët dhanë verdiktin e tyre duke u dhënë Demokratëve fillimisht Dhomën e Përfaqësuesve, më pas Shtëpinë e Bardhë dhe më pas Senatin.
Presidenti padashur nxori në sipërfaqe të gjitha tensionet e brendshme të Amerikës, duke i bërë shumë më të vështira për t'u mohuar.
“Trump do të mbahet mend për ekspozimin e të metave në demokracinë amerikane për dekada të tëra, duke u cilësuar nga shumë analistë si simptomë e shumë problemeve, por jo shkaku.
Gwenda Blair, një biografe e Trump, thotë se presidena e tij ishte një kombinim i të gjithë faktorëve të karrierës dhe ngritjes së tij si një ndër njerëzit më me ndikim në SHBA.
Nga manjat, tek njeriu më i fuqishëm i botës, Trump, 74 vjeç, lë një trashëgimi kaosi dhe përcarjeje. Ai përshpejtoi mosbesimin e amerikanëve ndaj institucioneve dhe njëri-tjetrit, duke bërë luftë me vetë të vërtetën. Ai ende ka miliona bashkëpunëtorë, mosbesimi i të cilëve për fitoren e Biden kërcënon paqëndrueshmëri dhe dhunë të mëtejshme në SHBA. Përtej detit, Trump e bëri Amerikën një objekt talljeje, përbuzjeje apo keqardhjeje ndërsa afrohej me autokratët dhe largonte aleatët tradicionalë të Amerikës.
Leon Panetta, ish-drejtor i CIA-s, thotë se historianët e ardhshëm do të thonë se ishte ndoshta presidenca më e keqe që Shtetet e Bashkuara, pasi Trump nuk besonte se kishte ndonjë rregull që e kufizonte mandatin e tij.
Por sot dritat do të fiken, ndërsa Trump del nga Shtëpia e Bardhë me humbje, duke u përballur me një tjetër gjyq për shkarkimin e tij në Senat.
Biden do të inaugurohet në një qytet që i ngjan një fortese, duke u krahasuar me ardhjen në pushtet të presidentit Gerald Ford pas largimit të Richard Nixon, i cili njihej deri më sot se momenti më i errët i Amerikës.
Burimet: "The Guardian", "USA Today", "The New Yorker" Përgatiti Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.