Nga Gazeta Si- Italia ka kryer depërtimin e parë të emigrantëve në Gjadër që tashmë ka një funksion tjetër, atë të riatdhesimit. Por, sipas mediave italiane, dhe ky ndryshim nuk po funksionon pasi emigrantët tashmë po përfundojnë duke u dëbuar nga Italia, jo nga Shqipëria.
Rasti i parë kishte të bënte me një shtetas nga Bangladeshi, i cili erdhi nga Italia në Gjadër, për t’u kthyer më pas në Itali dhe më pas për në Bangladesh.
I gjithë operacioni zgjati katër udhëtime të veçanta për një javë dhe mund të ketë kushtuar mbi 5000 euro, sipas gazetës italiane La Repubblica.
Kjo është më shumë se dyfishi i kostos mesatare të një dëbimi standard, të përditësuar së fundmi nga Ministria e Brendshme në 2800 euro.
Shitësi i trëndafilave që donte të shkonte në shtëpi
Fahim, 49 vjeç nga Bangladeshi, shitës trëndafilash në restorante në Romë, kishte disa dosje kriminale, pa leje qëndrimi. Është ai që do të mbahet mend si i riatdhesuari i parë nga kampi i riatdhesimit, por jo nga Shqipëria. Për shkak se protokolli i nënshkruar me Shqipërinë nuk e parashikon riatdhesimin, dhe për këtë arsye, për të dhe për të tjerët, mbetet detyrimi për t’u kthyer në Itali përpara fluturimit të riatdhesimit.
Historinë e tij e ka rrëfyer ditët e fundit programi Rai “Il Cavallo e La Torre”. Fahimi, i ndalur gjatë një kontrolli në Romë dhe u konstatua se ishte i parregullt, më parë ishte mbyllur në Ponte Galeria CPR. Duket se ai vetë, në atë moment, kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer në shtëpi. Sipas mediave italaine, ai nuk kishte ndërmend të kundërshtonte dëbimin që mund të kishte ndodhur, nga Roma, brenda pak ditësh.
Katër udhëtime në shtatë ditë
Por kur duhej të dilte para gjykatësit, Fahimi, i befasuar dhe i transferuar në Brindisi (udhëtimi i parë), ishte tashmë në anijen (udhëtimi i dytë) që do ta transferonte në Shëngjin bashkë me 39 emigrantë të tjerë. Por në Shqipëri qëndroi vetëm një javë. Më pas përsëri në Itali (udhëtimi i tretë) dhe nga aty (udhëtimi i katërt dhe i fundit) më në fund fluturimi për në Bangladesh.
“Perdja e heshtjes që rrethon gjithçka që ndodh në CPR në Shqipëri nuk lejon informacion të detajuar, por duke pasur parasysh se masat e sigurisë të parashikuara për transferimet e emigrantëve për t’u dëbuar kërkojnë praninë e dy policëve për secilin prej tyre, është e qartë se kostot shtesë të udhëtimeve duhet të shumëzohen me tre për çdo rrugë. Pra, një dëbim që mund të ishte kryer direkt nga Italia me koston mesatare të një riatdhesimi të vlerësuar nga Ministria e Brendshme në mbi 2800 euro, pa një rritje të kostos së udhëtimeve të panevojshme nga Roma në Brindisi fillimisht dhe nga Brindizi në Shqipëri vajtje-ardhje për tre persona”, shkruan La Repubblica.
Dhe ata që kërkojnë azil duhet të kthehen në Itali
Por udhëtime të tjera ishin të nevojshme për të rikthyer në Itali tre emigrantë të transferuar në Gjadër pak ditë më parë: dy të parët sepse problemet e tyre mendore u konsideruan (me vonesë) të papajtueshme me paraburgimin në CPR-në shqiptare ndërsa i treti u rikthye në Itali sepse në të njëjtën kohë kishte kërkuar azil. Dhe, ndryshe nga sa kishte deklaruar ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Romës u shprehën se një emigrant në pritje të dëbimit që kërkon azil nuk mund të ndalohet në Shqipëri. Prandaj, edhe ai u kthye në Itali.
“Për më tepër, ky mund të jetë fillimi i një precedenti që mund të shkaktojë një luftë të re midis gjyqtarëve dhe qeverisë”, shkruajnë mediat italiane.
Objekti, tërësisht nën kontrollin italian, u ripërcaktua në një qendër paraburgimi riatdhesimi në fund të marsit për të anashkaluar pengesat ligjore.
Para kësaj, plani i kryeministrit Giorgia Meloni për qendrat e financuara nga Italia në Shqipëri ishte t’i përdorte ato si qendra për të përshpejtuar procedurat e përpunimit dhe dëbimit për emigrantët meshkuj të rritur, nga “vendet e sigurta” që ishin shpëtuar në det.
Burimet: La Repubblica, Euractiv. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.