Nga Gazeta ‘SI’ – Pas një rritje të papritur gjatë gushtit, kursimet e shqiptarëve në banka kanë rënë përsëri në shtator. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në shtator, stoku i depozitave ra me 4.4 mld lekë, duke u ulur në kufijtë e 1.28 trilion lekëve. Kjo vjen pas një rritje 55 mld lekësh gjatë gushtit.
Me bazë vjetore, depozitat shënuan një rritje të lehtë me afërsisht 1%.

Rënia e totalit të depozitave duket se lidhet kryesisht me rënien e kursimeve në valutë, rreth 7 mld lekë, që mbajnë pjesën më të madhe të stokut.
Një arsye është edhe zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros, që pas një lloj stabiliteti gjatë gushtit, iu rikthye rënies në shtator dhe më tej.
Sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë është e sigurt, që nuk janë bizneset ata që po prekin depozitat e tyre. Në një komunikim me median, ekspertë të BSH-së thanë se depozitat bankare të bizneseve janë në momentin më të mirë ndonjëherë, me një rritje 20% vetëm gjatë këtij viti.
Familjet, ashtu siç ishte parashikuar dhe nga BSH, janë prekur në aftësinë e tyre paguese dhe kursyese nga inflacioni dhe normat e larta të interesit. Momentalisht normat e depozitave janë të favorshme, por tërheqja nga to nuk ka rezultuar e suksesshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




