13 shqiptarë që gjendeshin në kampet e luftës në Siri u kthyen përmes Prishtinës në orët e para të mëngjesit.
4 gra dhe 9 fëmijë mes moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e ferrit. Ata u pritën nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bashkë me homologun e tij kosovar, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve, Gledis Nano e Samedin Mehmeti, si dhe drejtoresha e Qendrës CVE, Lejdi Dervishi.
Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen e partnerëve të SHBA-ve nëpërmjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.
Ministri Çuçi theksoi që do të vijojë puna për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të tjerë që kanë mbetur ende në Siri, duke u bazuar gjithashtu në listat e hartuara më herët me partnerët libanezë, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në rajon, Marc Ghorayeb.
“Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve të tyre. Felënderoj këtu partnerët tanë strategjikë që na mundësuan këtë operacion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët organizuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni. Dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë dhe çdo grua”, u shpreh Çuçi.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, teksa konfirmoi gjithashtu vijimin e punës për riatdhesime të tjera, tha se tashmë institucionet tona kanë përgjegjësinë për rehabilitimin e këtyre shtetasve dhe integrimin e tyre të plotë.
“Puna jonë nuk përfundon këtu. Ekipet tona tashmë kanë shumë punë që këta bashkëkombas tanë të kthyer të rehabilitohen. Ata që janë të ndikuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë e posaçërisht fëmijët të cilët në asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen. Jemi të bindur se institucionet tona do të bëjnë maksimumin që rehabilitimi i tyre të jetë sa më i shpejtë. Me këtë t’i afrohemi fundit të një episodi vërtet të dhimbshëm të shoqërive tona”, tha Sveçla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




