Keshilla

4-5 orë në ditë para ekranit… Autizmi virtual në Shqipëri po përkeqësohet

Keni dëgjuar ndonjëherë për autizmin virtual?  Kjo është një gjendje që shumë pak prindër e kuptojnë, por e hasin shpesh.

Çfarë është autizmi virtual?

Shumë fëmijë të vegjël që shpenzojnë kohë para ekranit të televizorit, duke zhvilluar lojëra elektronike në tabletë dhe kompjuterë, kanë shfaqur simptoma të autizmit.  Simptomat e fëmijës zhduken kur prindërit ua heqin ekranet nga dora. Termi i përshtatshëm për këtë fenomen është "autizmi virtual" ose autizmi i shkaktuar nga ekranet elektronike.

Gazeta “Si” foli me psikologen Aljona Jonuzi e cila tregon se ky fenomen është mjaft i përhapur në Shqipëri dhe “problemi sa vjen dhe përhapet më shumë, pasi shumë prindër janë shprehur se fëmijët e tyre nga mosha 0-5 vjeç kalojnë 4-5 orë në ditë para një televizori, telefoni celular ose ipad-i.” tregon Aljona.

Psikologe Aljona Jonuzi

Ajo thotë se pesë orë shikimi i televizorit në ditë apo edhe përdorimi i internetit nuk përbëjnë një faktor dëmtues te të rriturit, por për fëmijët shumë të vegjël (0-2 vjeç) pajisjet elektronike kanë një efekt shkatërrues.

“Pasojat më të shpeshta janë vonesa ne zhvillimin psikomotorik dhe funksionet e të folurit, çrregullimet e sjelljes deri në ato serioze si ADHD ose edhe autizëm.” thotë ajo.

Një studim i kryer në Rumani tregoi se 90% e fëmijëve të moshës 2-3 vjeç, shpesh shfaqin vonesa në të folur dhe faktori shkaktar në zhvillimin e tyre, në të folurën apo në çrregullimet e spektrit autik janë pikërisht programet televizive ose ndërveprimi me forma dhe lloje të tjera të realitetit virtual.

Është pothuajse e pamundur të dallosh "autizmin virtual ", të zhvilluar si rezultat i një efekti të pakontrollueshëm në psikikën e një fëmije nga teknologjia, nga ai klasik, sepse simptomat janë saktësisht të njëjta. Fëmijët kane mungesë ose vështirësi të socializmit, kontaktit të vazhdueshëm me sy, fjalës, lojërave të roleve, ku fëmija shndërrohet në një karakter imagjinar, si dhe dominimin e fjalëve, frazave, veprimeve dhe lojërave të përsëritura.

Si rregull, Aljona thotë se fëmijët mësojnë kuptimin e fjalëve nëpërmjet ndërveprimit social,  duke luajtur me objekte të ndryshme, duke bashkëvepruar me njerëzit që u shpjegojnë atyre atë që shohin, si funksionon dhe për çfarë shërben ajo. Fëmija mëson për botën dhe sendet me anë të bashkëveprimin direkt me ta ose nëpërmjet ndjenjave. Truri i një fëmije nuk mund të zhvillohet pa pasur kontakt me njerëzit apo objekteve të tjera, pa kuptuar lidhjet midis tyre, personave dhe veprimeve të tyre. Drita dhe zhurma e krijuar nga ekranet tërheqin vëmendjen e fëmijës, por truri i tyre nuk zhvillohet normalisht.

“Nëse fëmija është fiksuar pas ekranit, fëmija nuk mund të jetë i vëmendshëm apo të kuptojë dhe ndiejë se çfarë po ndodh rreth tij pasi ekrani është shumë më i shndritshëm, më i fortë dhe më i shpejtë”, tha Aljona.

Për rrjedhojë, lind varësia nga drita, zhurma dhe imazhet e prodhuara nga pajisjet, gjëra që e izolojnë fëmijën, duke e mbajtur larg nga bashkëveprimi me njerëzit e tjerë, i cili është absolutisht i nevojshëm për zhvillimin e aftësive së të folurit dhe komunikimit. Zhurma e tepërt, drita, shpejtësia e ndryshimit të kornizave, madje edhe në vizatime, mund të shkaktojë ndjenja negative dhe të dhimbshme te fëmijët, të cilat shpesh shndërrohen në sjellje agresive ose të pakontrollueshme.

Aljona këshillon që fëmijët në dy vitet e para të jetës të bëjnë shëtitje më të gjata, të qëndrojnë jashtë në natyrë dhe të komunikojnë sa më shumë të jetë e mundur me të rriturit ose me fëmijët më të mëdhenj që flasin dhe luajnë me ta.

Në vitin 2008, “Akademia Amerikane e Pediatrisë” rekomandoi që qasja në teknologjitë multimediale dhe pajisjet për fëmijët e moshës 0 deri në 2 vjeç duhet të jetë plotësisht e kufizuar. Për fëmijët e moshave nga 3 deri në 6 vjeç, ndërveprimi me realitetin virtual duhet të kufizohet në një maksimum prej një ore në ditë, midis 6 dhe 12 viteve të jetës, një fëmijë duhet të kalojë jo më shumë se dy orë duke parë televizor ose duke luajtur lojëra në pajisjet elektronike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë