Treg

Parashikimi i Bankës së Shqipërisë: Çfarë do të ndodhë me pronat 6 muajt e ardhshëm

Tregu i pasurive të palujtshme në Shqipëri duket se ka hyrë në ujëra të qeta. Banka e  Shqipërisë e cila kryhen një vrojtim periodik 6 mujor na tregon se  pas një balance negative tani situata është neutrale.

Ajo niset nga disa tregues që arrin në këtë konluzion.

Sipas BSh-së,  numri i agjentëve që kanë realizuar shitje ndaj numrit të përgjithshëm të subjekteve që janë përgjigjur, u rrit në 50% nga 39% një gjashtëmujor më parë.

Numri total i pronave të shitura ishte 709 nga 632 një gjashtëmujor më parë dhe numri mesatar i pronave të shitura për subjekt mbeti 4 edhe për këtë periudhë.

Rreth 50% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve janë blerë me hua bankare. Në vrojtimin e gjashtëmujorit të kaluar kjo vlerë ishte 60%. Për 80% të këtyre pronave kredia e marrë ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 10.5 muaj dhe mbeti thuajse e pandryshuar ndaj gjashtëmujorit të kaluar.

Në Tiranë,  një pronë  shitet mestarisht për 9.6 muaj dhe kjo kohë ishte shumë pak më e shkurtër në krahasim me kohën e shitjes të raportuar për gjashtëmujorin e kaluar. Për zonën e bregdetit koha e shitjes ra në  7.6 muaj por në zonat e tjera u rrit në 12.6 muaj.

 Rreth 32% e banesave dhe pronave tregtare që janë shitur gjatë periudhës, janë blerë nga jorezidentë, 39% e të cilëve janë shtetas jashtë Bashkimit Evropian.

Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi shënoi rritje me 0.5% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe me 6.7% në terma vjetorë. Indeksi i Çmimit për Tiranën u rrit me 3.4% ndaj periudhës paraardhëse dhe me 5.8% ndaj një viti më parë. Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura në zonat periferike dhe jashtë qytetit.

Për pronat e shitura në vendet bregdetare agjentët kanë raportuar çmime më të ulëta, ndërsa për zonat e tjera1ndryshimet e çmimeve kanë qenë thuajse të papërfillshme.

 Agjentët raportojnë kërkesë thuajse të pandryshuar për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, ndërsa çmimet e qerasë janë rritur .

Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqendruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.

Për gjashtëmujorin e ardhshëm, agjentët presin rritje të çmimeve dhe rritje të numrit të pronave të regjistruara për shitje. Ata  janë optimistë për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, dhe ndjeshëm më optimistë për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet) për aktivitetin në tregun e pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë