Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi të hënën se lera totale e evazionit fiskal lidhur me koncesionin e tre inceneratorëve është 30 milion dollarë.
‘Prej ditës së sotme, (e hënë) përmes shtesës së kallëzimit që kam nisur në drejtim të saj, Prokuroria Speciale Anti Korrupsion, ka në dispozicion çdo dokument, që i provon këto krime.
Janë në total 3641 faqe dokumentacion, që përfshijnë librat e shitjes dhe të blerjes të 24 kompanive fiktive.
Këto kompani fiktive, që kanë 1 ose 2 punëtorë, që nuk disponojnë licensa profesionale në fushën e ndërtimit; kompani pa historik me eksperienca të ngjashme në punë publike apo private, janë përgjegjëse për realizimin e skemave financiare nga qeveria shqiptare për të përvetësuar fondet publike, përmes koncesioneve dhe kontratave të Partneritetit Publik Privat.
Të gjitha këto fatura që ne i kemi dorëzuar në SPAK, rezultojnë se janë fiktive, pasi kompanitë që prezumohet se do të ofrojnë shërbime ose punime, janë të krijuara posacërisht për të justifikuar kostot e fryra të punimeve, përfitimin e TVSH-së dhe kanë shërbyer gjithashtu për reduktimin e tatim fitimit nga ana e kompanisë Integrated Technology Services të Klodian Zotos, e cila është nënkontraktori kryesor i të tre koncesioneve të inceneratorëve, i ngarkuar me detyrën për të ndërtuar inceneratorët...”, tha ajo.
Kryemadhi nënvizoi se të gjitha dokumentet janë depozituar në SPAK bashkë me përfundimet që ajo ka nxjerrë.
“LSI ka evidentuar dhe i ka dërguar materialet ne SPAK, që faktojnë se këto kompani, janë përgjegjëse për një evazion fiskal më të madh, që në total kap vlerën e 189 milionë dollarë. Duke patur si përfitues të drejtpërdrejtë kompanitë që kanë përfituar tenderat, koncesionet, punët publike më të mëdha që qeveria e kryeministrit Rama ka dhënë këto vite. Ndjekja e parasë dhe aktiviteti financiar i këtyre kompanive, sesi ato kanë vepruar në bashkëpunim me kompanitë e koncesioneve, të çon drejtpërdrejtë tek koka e aferës së inceneratorëve dhe e koncesioneve korruptive, që është kryeministri Rama”, tha ajo.
Me shtesën e kallëzimit, Kryemadhi njoftoi se i ka kërkuar SPAK të hetojë edhe Ministren e Financave, ish Drejtoreshën e Tatimeve, Delina Ibrahimaj. “...Me veprimet dhe mosveprimet e saj ka ndikuar në mos hetimin e plotë të këtyre krimeve financiare nga administrata tatimore që ajo ka drejtuar në vitin 2018”, shtoi ajo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.