Nga Gazeta Si- Kërkesa e Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor (FSDKSH) për të zgjidhur kontratën me rreth 360 farmaci ka sjellë përplasje mes Fondit që i akuzon për fatura fiktive dhe Urdhrit të farmacistëve të cilët e cilësojnë si një dënim kolektiv.
Paraditen e sotme, një përfaqësi e farmacistëve të penalizuar nga FSDKSH janë takuar me përfaqësues të FSDKSH për të kërkuar tërheqjen e masave penalizuese ndaj tyre.
Farmacistët thonë për Gazetasi.al se ky procedim është i pabazuar në fakte e prova dhe se dënimi është kolektiv.
“Ne jemi hallka e fundit e zinxhirit të kontrolleve që shteti duhet të kryente duke nisur nga dogana, tatimet e depot farmaceutike. Si janë ekzekutuar faturat tatimore nga Tatimet kur kanë qenë fiktive?, thotë Eva, e cila ka një rrjet farmacish në Tiranë.
Teksa një grup përfaqësuesish kishin takimin në FSDKSH, të tjerë kanë protestuar jashtë godinës.
Ata e cilësojnë vendimin jo të drejtë dhe kolektiv.
Fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor kërkon zgjidhjen e kontratës me afro 360 farmaci që japin barna me rimbursim për pacientët si dhe ndjekjen e procedurave penale për disa prej tyre me argumentin e faturave fiktive për gati 10 barna.
Në një procesverbal dërguar nga disa prej farmaci theksohet zgjidhja e kontratës pa afat.

Urdhri i Farmacistëve e konsideron këtë veprim si një dënim masiv kolektiv pa prova dhe që duhet tërhequr menjëherë nga drejtuesit e Fondit.
Në deklaratën zyrtare, Urdhri thotë se ky vendim përfshin pothuajse të gjitha farmacitë që kanë kontratë me këtë institucion.
“Gjithashtu, ky vendim shkakton kolaps në sistemin farmaceutik me pasoja mbi pacientët që përfitojnë barna me rimbursim. Procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme pa u mbështetur në rregulloren e kontrollit dhe për më tepër procesverbali nuk përmban firmën e titullarit”, thuhet më tej në deklaratën për mediat.
Sipas farmacistëve, shkresa që u është dërguar farmacive, procesverbalet janë paragjykuese, pasi arrijnë drejtpërdrejt në konkluzione për fatura fiktive dhe propozojnë masa ekstreme, si zgjidhje kontrate dhe kallëzim penal, pa një proces të rregullt administrativ si dhe krijon precedent të rrezikshëm, për vazhdimin e marrëdhënies kontraktore Fond -Farmaci.
“Pothuajse të gjitha farmacitë që kanë marrë këto shkresa, janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, me inventarizim fizik për barnat përkatëse, pa u konstatuar shkeljet e pretenduara”, thuhet në reagimin e farmacistëve.
Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar edhe disa takime me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit ku është kërkuar që Fondi të tërhiqet nga procedura e pa bazuar në kontratë dhe rregullore e penalizimeve kolektive por nuk ka pasur një vendimmarrje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




