Pas më shumë se 1 muaj e gjysmë kemi një rritje tepër të lartë të rasteve pozitive në vendin tonë. Numri i të prekurve me Covid-19 në 24 orët e fundit ka shkuar në 36, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë, ku vetëm 27 raste janë në Tiranë. Silva Bino nga ISHP, ka bërë me dije se kjo situatë ka vijuar nga mos respektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, me mbajtjen e maskave dhe elementët e tjerë të kujdesit.
Bino thekoi se diçka tjetër shqetësuese është edhe fakti që kemi një rritje të rasteve edhe të pacientëve në Spitalin Infektiv.
“Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim. Ajo që është e rëndësishme të theksojmë sot është që kemi një rritje të rasteve të cilët po trajtohen pranë shërbimit infektiv, të cilat janë 41 raste dhe prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar. Të gjitha këto tregojnë që Covid19 nuk është lehtësuar, nuk është një sëmundje e cila kalon lehtësisht. Një pjesë e mirë e rasteve të cilat janë identifikuar kanë shenja klinike dhe një pjesë e tyre kanë pasur nevojë për shtrim në spital. Gjatë 24 orëve të fundit 15 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar ne 960 numrin e tw shëruarve nga fillimi epidemisë. Në vendin tonë janë 305 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamëz” ka theksuar Bino.
Ndërkohë ekspertja gjatë gjithë komunikimit ka bërë thirrje për qytetarët që të jenë të përgjegjshëm.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive vijon:
Tiranë 204
Shkodër 29
Krujë 24
Kamëz 19
Durrës 10
Mat 9
Lushnje 4
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Lezhë 1
Kur mund të rikthehet izolimi?
Dy javë më parë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se lehtësimi i masave dhe hapja po shoqërohet me një kurbë në rritje të infeksionit, e nëse kjo do të vazhdojë do të shkohet përsëri drejt izolimit.
Ministrja deklaroi se është numri i rasteve që përcakton ecurinë apo kthimin pas. Sipas ministres faktorët që ndikojnë në rikthimin në karantinë, janë rastet pozitive ditore, rastet e të shtruarve, rastet në terapi intensive dhe numri i personave që ndrrojnë jetë.
“Nëse do të kishim dyfishim apo trefishim të rasteve të reja, krahasuar me para 2 javësh. Nëse do të kishim rritje të të shtruarve, duke shkuar tek 80 persona dhe nëse do të kishim të intubuar 15 – 20 raste, atëherë ne stopojmë. Nuk bëjmë hapa të tjerë, nëse ky numër vazhdon dhe rritet atëherë do të bëjmë hapa pas,” shtoi Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.