Gazeta “SI” – Për shqiptarët, 2 korriku i vitit 1990 mbetet një datë me domethënie historike. Rreth pesë mijë qytetarë sfiduan hapur diktaturën komuniste, duke hyrë masivisht në ambasadat e huaja në Tiranë për të kërkuar strehim politik. Kjo ngjarje e tronditi regjimin e atëhershëm.
Në atë verë të nxehtë të vitit 1990, regjimi komunist shqiptar dukej ende i pathyeshëm. Megjithatë, jehona e ngjarjeve që po ndryshonin hartën politike të Europës Lindore kishte mbërritur edhe në Shqipëri. Shembja e murit të Berlinit në nëntor 1989, ekzekutimi i diktatorit Çauşesku në Rumani, dhe fillimi i lëvizjeve për ndryshim në shumë vende të tjera komuniste.
Por ishin pikërisht mijëra shqiptarët që, në mënyrë të papritur dhe të vendosur, i dhanë fund iluzionit të një stabiliteti të përjetshëm të diktaturës. Ata hynë në ambasadat e Greqisë, Italisë, Francës, Egjiptit dhe Gjermanisë, duke kërkuar një dalje nga izolimi dhe një shpresë për jetë tjetër.

Një nga momentet më të forta të asaj dite ishte ai i Ylli Bodinakut, i cili me një kamion të tipit “Skoda”, ku ndodheshin gruaja, dy fëmijët dhe të afërmit e tij, përplasi portën e ambasadës gjermane duke hyrë brenda për të kërkuar strehim. Pas tij, dhjetëra qytetarë të tjerë ndoqën të njëjtin hap, duke u futur brenda godinës diplomatike për t’i shpëtuar regjimit represiv.
Pas disa ditësh tensioni, ndërhyrjes së diplomatëve dhe negociatave në nivel ndërkombëtar përfshirë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Javier Pérez de Cuéllar regjimi u dorëzua dhe lejoi largimin e qytetarëve që ndodheshin në ambasada.

Kjo ngjarje nuk ishte fundi i diktaturës, por ishte padyshim fillimi i fundit. Vetëm pesë muaj më pas, më 8 dhjetor 1990, studentët e Universitetit të Tiranës do të nxisnin protestat që do të përshpejtonin kolapsin e plotë të sistemit, duke hapur rrugën për rënien zyrtare të diktaturës komuniste pas më shumë se 45 vitesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



