Ngjarje

34 vjet nga eksodi i madh i shqiptarëve

Nga Gazeta “SI”- Mëngjesin e 8 Gushtit 1991, në brigjet e Barit, u shfaq një anije tregtare e cila lëkundej e rënduar, e ngarkuar jo me mall, por cit me njerëz. Mijëra trupa të ngjeshur, disa të varur në shkallë, disa ulur mbi kontejnerë, valëvisnin duart drejt brigjeve italiane. Ishte  dita që do të hynte  në historinë e emigracionit shqiptar si eksodi i madh.

Një ditë më parë, porti i Durrësit ishte kthyer në një skenë kaosi. Shqipëria, e sapo dalë nga komunizmi, po përjetonte kolaps ekonomik. Raftet bosh, buka me racion, papunësia dhe pasiguria e kishin vrarë  shpresën se vendi mund të ripërtërihej.

 Italia dukej afër,  vetëm një det i ngushtë ndante realitetin gri nga ëndrra e reklamave me ngjyra që vinin nga televizioni.

Anija tregtare Vlora sapo ishte kthyer nga Kuba me një ngarkesë sheqeri. Por atë mëngjes, ngarkesa e saj e re do të ishin mbi 20 mijë njerëz të dëshpëruar. Ata u hodhën në ujë, u ngjitën me litarë dhe pushtuan çdo cep të saj.

Kapiteni Halim Milaqi, i rrethuar nga turma ,disa edhe të armatosur  nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të nisej drejt Italisë, me motorë të dëmtuar, pa radar dhe me anijen në kufijtë e fundosjes.

Udhëtimi ishte i rrezikshëm. Në mes të vapës, pasagjerët prenë tubat e ftohjes për të pirë ujë, duke rrezikuar motorin por thuhet se kapiteniMilaqi përdori ujë deti për ta shpëtuar. Në orën katër të mëngjesit, anija Vlora iu afrua Brindisit, por u refuzua. Kursi ndryshoi për në Bari.

Në port, autoritetet italiane e pritën me një plan të ftohtë: asnjë zbarkim dhe kthim i menjëhershëm. Por temperatura mbi 35 gradë, mungesa e ujit dhe ushqimit e bënë të pamundur që njerëzit të qëndronin më gjatë në bord. Pas orësh pritjeje, pasagjerët u çuan me autobusë në stadiumin e braktisur Stadio della Vittoria.

Kur turma kuptoi se shteti italian do t’i riatdhesonte mbrapsht shumë prej tyre çanë kordonin e policisë dhe u zhdukën nëpër rrugët e qytetit.

Në ditët që pasuan, rreth 3 mijë persona u riatdhesuan. Disa u kthyen vetë, të zhgënjyer nga pritja e italianëve. Të tjerë u mashtruan me premtimin se po shkonin në qytete të tjera italiane. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe vetë Papa e dënuan trajtimin, por qeveria italiane këmbënguli se ishte e nevojshme për të ndalur valët e emigracionit.

Sot, 34 vite më vonë , 8 gushti mbetet një nga datat e shënuara në kujtesën kombëtare,  dita kur një anije mbajti mbi dallgë shpresat, frikën dhe dëshpërimin e një populli të tërë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë