Ngjarje

33-vjeçarja mohon të ketë braktisur fëmijët, ish-vjehrra: I lije vetëm dhe shkoje të bëje flokët 300 euro

Nga Gazeta Si- Ish-vjehrra e 33-vjeçares Blerina Basha, e cila akuzohet për braktisje të tre fëmijëve të saj të mitur, ka folur për mediat duke thënë se i ka ndihmuar gjithmonë fëmijët dhe ish-nuset e të birit me para dhe veshje.

“Dhe prindërit e saj e dinë që unë i dërgoj para edhe pse ajo e mohon. Ajo i bën lekët rrush e kumbulla, duke rregulluar flokët nga 300 euro, bën qerpikët, buzët e thonjtë”, ka thënë për mediat vjehrra e 33-vjeçares e cila akuzohet se ka braktisur 3 fëmijët e saj në banesë për disa ditë.

Ajo tregon se nuk e dinte se fëmijët kishin që në nëntor pa shkuar në shkollë dhe se ishin sëmurë.

“Nga gjithë ai zhul vjen zgjebja. E vura re kur pashë djalin e madh që kishte plagë në trup. Ne do ta ndjekim situatën me gjykatë që të marrim kujdestarinë e fëmijëve”, thotë ajo.

Ndërkohë mamaja e 3 fëmijëve mohon të ketë braktisur fëmijët e saj gjithashtu dhe ndihmën që ish-vjehrra pretendon se i ka dhënë. Duke komentuar pamjet brenda shtëpisë, nëna e 3 fëmijëve thotë se është një kurth nga ish-vjehrra.

Ajo ka thënë se fëmijët kishin 1 muaj pa shkuar në shkollë për shkak se kanë qenë sëmurë e më pas ishin pushimet e fundvitit.

Duke sqaruar pretendimet e ish-vjehrrës, ajo thotë se fëmijët i ka lënë vetëm gjatë ditës pasi i duhet të punojë për të siguruar para për t’i rritur.

“Ia kam thënë edhe policisë, shtëpia ime ka pasur disa rroba në krevat, por është futur një dorë tjetër për të bërë gjithë rrëmujën. Nëse do jetonin në ato gjendje, fëmijët s’do ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Mjekët kanë kryer ekzaminime dhe janë në gjendje shumë të mirë. Dyshohej për zgjebe, ishte infeksion lëkure. Kanë marrë një raport 2 javor dhe kaq. Infeksioni më thanë që është marrë në shkollë, por është gjë që kalon. Që prej përmbytjes jemi pa ujë, kam prova dhe fakte të tjera dhe do hedhim poshtë pretendimin e gjyshes”, thotë 33-vjeçarja.

Ajo thotë se ka kërkuar ndihmë sociale por duke qenë se ka televizor dhe lavatriçe, nuk e ka fituar.

Ajo prej 5 vitesh është ndarë nga babai i fëmijëve dhe ka deklaruar se vetëm së fundmi ka marrë një pagesë mujore prej 18 mijë lekësh nga ai.

“Unë do luftoj, kujdestarinë nuk ma heqin dot. Me pas mundësinë familje ime s’më lejonte kurrë të punoja dy turne. Familja ime jeton jashtë”, ka deklaruar ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë