Treg

31 mijë mjete të reja në 4 muaj. Më shumë makina elektrike, por shqiptarët s’ndahen nga karburanti

Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 31 mijë mjete të reja u regjistruan në Shqipëri nga janari në prill të këtij viti.

Ndonëse mjetet e reja janë me lëndë djegëse (20 mijë naftë, 7 mijë benzinë), DPSHTRR thotë se ka një rritje me 92% të mjeteve elektrike. Deri në fund të prillit 2024, u regjistruan 818 makina tërësisht elektrike. Sipas të dhënave, 17% e këtyre mjeteve, ishin me zero kilometra, pra që dalin për herë të parë në qarkullim.

Gjithsesi, mjetet që hyjnë në Shqipëri nuk janë fort miqësore me natyrën dhe më shumë 75% e tyre i përkasin kategorisë Euro 4 dhe Euro 5, pra me minimalisht 9-15 vite jetë.

Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor llogarit se rreth 26 mijë janë nga këto mjete janë makina personale dhe pjesa tjetër dominohet nga motorët apo mjetet për transport pasagjerësh e mallrash. Pothuajse gjysma e këtyre mjeteve u regjistruan në Tiranë, kryesisht për pronarë individualë dhe pjesa tjetër për biznese.

Volkswagen, Mercedez Benz dhe Audi mbeten mjetet më të preferuara për shqiptarët, duke zënë rreth 50% të regjistrimeve të reja. Vërehet një rritje e makinave të firmave dytësore si Toyota, Hunday, Ford etj.

Koreja e Jugut është zyrtarisht importuesi kryesor i mjeteve në Shqipëri pas Italisë e Gjermanisë, me diferenca shumë të vogla. Gjatë katër muajve të parë të këtij viti, mbi 5.300 mjete erdhën në Shqipëri nga shteti aziatik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë