Filma

30 vjet pas realizimit, rishfaqet i restauruar filmi “Vdekja e Kalit”

Filmi i mirënjohur shqiptar, “Vdekja e Kalit” vjen i restauruar. Nga data 19 deri më 26 maj publiku dhe artdashësit do të kenë mundësinë që ta shohin këtë film falas pa asnjë lloj pagese me cilësi maksimale.

Filmi vjen premierë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe mund të shihet në kanalin zyrtar në YouTube.

Bazuar në një histori të vërtetë, Vdekja e kalit (“The death of a horse”) ka veçantinë e të qenit drama e parë filmike shqiptare e realizuar pas rënies së regjimit komunist.

“Vdekja e kalit zë një vend të veçantë në kinematografinë shqiptare. Është filmi i parë i bërë në vendin tonë pas mbarimit të diktaturës 46-vjeçare”, thotë për Gazetën “Si”, Iris Elezi, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Filmi është realizuar në vitin 1992 dhe mban firmën e regjisorit Saimir Kumbaro e skenar të Nexhati Tafa. Timo Flloko, Rajmonda Bulku dhe Tinka Kurti janë aktorët të cilët interpretojnë në mënyrë të shkëlqyer në këtë film.

Restaurimi dhe premiera e filmit “Vdekja e kalit” për publikun në internet, është bërë i mundur falë programit “Sezoni i filmave klasikë” (A Season of Classic Films), një nismë e Shoqatës së Kinematekave Evropiane (Association des Cinémathèques Européennes (ACE) me mbështetjen financiare të programit të BE-së Creative Europe, një punë që sipas Arkivit të Filmit ka zgjatur për 3 vite.

Por pse u zgjodh pikërisht ky film për t’u restauruar? Sipas Elezit, është përzgjedhur filmi “Vdekja e Kalit”, pasi sjell dekadat e diktaturës me një sinqeritet dhe freski, që rrallë është ndier në filmat shqiptarë. 

“Kur diktatura e rreptë ra në vitin 1991, Kinostudioja ‘Shqipëria e re’ ndjeu menjëherë efektet e ndryshimeve ekonomike dhe sociale, që po përjetonte i gjithë vendi. Për shumë vite me radhë, Kinostudioja prodhoi filma duke ndjekur konceptet komuniste për kinematografinë. Në ato kohë të errëta fjala e lirë, feja, dhe udhëtimi jashtë vendit ishin të ndaluara, edhe shikimi i një filmi të huaj mund të sillte dënim me burg për agjitacion dhe propagandë. Për këtë arsye ‘Vdekja e Kalit’ është një përvojë kaq e veçantë për shqiptarët që jetuan në atë kohë të vështirë. Skenaristi dhe regjisori bashkë me kastin e talentuar sollën në ekranin e madh, dekadat e tragjedisë me një sinqeritet dhe freski, që rrallë është ndier në filmat shqiptarë”, shprehet Elezi.

Ndër të tjera, Elezi thotë se publiku mund të jetë edhe ndërkombëtar, ndaj është menduar shoqërimi i tij me titra në anglisht.

Duke folur për filmin, Iris Elezi, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit veçon gjallërinë nga e cila përshkohet filmi duke sjellë epokën traumatike të atyre viteve të vështira.  

“Buxheti i ulët financiar me të cilin u prodhua filmi ‘Vdekja e kalit’ reflektonte në fakt sfidat e jashtëzakonshme shoqërore dhe ekonomike që vendi hasi pikërisht në vitet 1990. Meqenëse vendi ynë ballkanik sapo kishte dalë nga epoka traumatike e Hoxhës, “Vdekja e kalit” ka një gjallëri të dukshme dhe historia e filmit duke sikur sapo ka dalë nga faqet e historisë së shkruar kohët e fundit”.

Drama zhvillohet në vitin 1974, vit në të cilin regjimi akuzoi ushtrinë për tradhti. Ministri i Mbrojtjes u ekzekutua së bashku me një gjeneral të rangut të lartë, Petrit Dume.

Personazhi kryesor në filmin “Vdekja e kalit”, trajneri i kuajve Agroni, paralelizon historinë e Petrit Dumes. Sidoqoftë, personazhi i trilluar, Agroni, nuk është një gjeneral, por një trajner ushtarak i kuajve që bën gjithçka që mundet për të shpëtuar kalin e tij të dashur. Por ndërsa përpiqet të shpëtojë kalin e bardhë, Agroni dhe familja e tij kalojnë nëpër një sërë ngjarjesh tragjike.

Filmi është skanuar nën mbikëqyrjen e ekspertit të restaurimit Shai Drori dhe restaurimi digjital është përfunduar nga kineasti australian, Steven Kastrissios.

Sipas Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, programi “Sezoni i filmave klasikë” ka si qëllim të inkurajojë restaurimin digjital të artit kinematografik europian si dhe të sjellë vëmendjen e publikut drejt punës që bëhet nga arkivat e filmit në Europë, duke shfaqur në internet dhe në kinema, kurdo që kjo të jetë e mundur, filma pa pagesë.

Njëzet e dy institucione nga e gjithë Europa, përfshirë edhe Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, po marrin pjesë këtë vit në nismë, duke i krijuar mundësinë publikut të njihet me historinë e kinematografisë dhe me ruajtjen e trashëgimisë filmike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë