Ekonomi

’30 mln euro garanci sovrane për fermerët’, Sejko: Bankat e kanë detyrim moral të kreditojnë bujqësinë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria dhe autoritetet bankare zhvilluan sot një takim, me qëllim aksesin e fermerëve në sektorin bankar dhe kreditimin e tyre.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës Gent Sejko i kërkoi bankave tregtare t’i japin më shumë akses sektorit bujqësor, duke ndihmuar në zhvillimin e kësaj ekonomie dhe duke e parë si një investim me kthim pozitiv.

“Mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vendi në të cilin zhvilloni me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj. Përkrahja e industrisë së zinxhirit ushqimor mbetet një faktor me rëndësi të vërtetë jetike për një vend dhe popullsinë e tij”, u shpreh drejtuesi i Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Petrit Malaj njoftoi se për herë të parë këtij sektori do t’i vihet në dispozicion një fond me vlerë 30 milionë eurosh.

“Potenciali në këtë sektor ekziston, sikundër edhe vullneti. Sëbashku duhet të nxisim rritjen e aksesit në financë. Vitet e fundit, qeveria shqiptare përmes katër garancive sovrane, ka mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ne do miratojmë një skemë të re garancie sovrane që për herë të parë do mbështesë sektorin e bujqësisë me një fond prej 30 milion eurosh”, deklaroi Malaj.

Ai shtoi se kështu se do të garantohet deri në 70% e kredisë për fermerët dhe fondet do shkojnë posaçërisht për agropërpunim, agroturizëm, peshkim apo për sera moderne.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë